Lladrovci reagon ndaj videos ku banorët e akuzojnë: “E qove rrugën kah arat e tua”

Lladrovci reagon ndaj videos ku banorët e akuzojnë: “E qove rrugën kah arat e tua”

Të dielën pasdite, Insajderi ka publikuar një video, ku kryetari aktual i Drenasit dhe kandidati i PDK-së për këtë komunë, Ramiz Lladrovci, përballej me akuza të banorëve të fshatit Korroticë e Epërme të cilët thoshin se Lladrovci e kishte ndryshuar “rrugën për ta quar ka arat e veta”.

Banorët akuzojnë Lladrovcin: E qove rrugën kah arat e tua

Ndaj kësaj video, ka reaguar Ramiz Lladrovci duke thënë se është ndryshuar ajo çfarë thonë banorët edhe pse në video dëgjohet qartë bisedimi mes tij dhe qytetarëve.

Ja reagimi i plotë i Lladrovcit:

Reagim ndaj artikullit të publikuar në portalin Insajderi, me titull: Banorët akuzojnë Lladrovcin: E qove rrugën kah arat e tua”.

Titulli fare nuk ka të bëj me realitetin. Citati i qytetarëve është një mashtrim që qëllimisht Insajderi e lë të hapur, gjoja sikur është i vërtetë. 

Siç e kam thënë edhe aty, se nga do të shkoj rruga, do të vendoset me votë, me votën e çdo qytetari. Pra, qytetarët do të vendosin nga do të shkoj rruga. Nga Polluzha deri në Drenas dihet nga do të shkoj rruga, ndërsa nga Drenasi drejt autostradës, do të pyetet çdo qytetar.

Edhe nga incizimi, Insajderi shkruan se “Unë po ju them që rruga ka mu bë andej për ka katër korsi në këtë botë nuk e di se kah ka me i ra dhe kur ju thom nuk e di, ju garantojë që nuk e di”. 

Këto fjalë të nxjerra nga incizimi, nuk e balansojnë tekstin e vërtetësinë e fjalës time, përball të pavërtetës së paraqitura nga “një qytetar”.

Kërkoj të hiqet titulli dhe të paraqitet realiteti. Tekstet tuaja që qëllimisht synojnë të denigrojnë personalitetin tim në portalin Tuaj, nuk janë risi.

Në kohën e fushatës joobjektiviteti dhe deformimet në informim si teksti i publikuar me titullin e shënuar lartë, në portal, më 15.10.2017, në ora 22:04, janë shumë të dëmshme dhe mostër e “gazetarisë së porositur”.

Po ashtu, kërkim falja, është pjesë e kulturës për mediumin kur ia huq, për fat të keq, tashmë as kërkimfalja nuk ndreq asgjë, dëmin e keni shkaktuar, disa medie e kanë publikuar pa ndërhyrje.

Pëlqejeni edhe faqen e Insajderit në Facebook, duke klikuar: KËTU