Lladrovci ua beson grave gjysmën e drejtorive të komunës

Lladrovci ua beson grave gjysmën e drejtorive të komunës

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka prezantuar sot kabinetin e tij qeverisës, me të cilin do të udhëheqin këtë komunë deri në zgjedhjet e ardhme që pritet të mbahen këtë vit. Sipas një njoftimi të komunës, mësohet se gjysma e drejtorive do të jenë të udhëhequra nga gratë.

Lladrovci ua ka besuar këto drejtori kolegeve të tij: Drejtorinë e Bujqësisë dhe Zhvillimin Ekonomik, Drejtorinë e Administratës Komunale, Drejtorinë e Inspeksionit,  Drejtorinë e Shërbimeve Emergjente dhe Drejtorinë e Kulturës.

“Kryetari Lladrovci paraprakisht ka falënderuar ish drejtorët e mëparshëm për punën dhe angazhimin e tyre, por ka shtuar se ishte një premtim i tij që 50 për qind e stafit të drejtorëve të jenë femra, mirëpo me marrëveshje me ish-drejtorët i ka bartur në punët e mëparshme, ose atyre ekuivalente, siç është e përcaktuar me Ligj”, thuhet në komunikatën për media të dërguar nga komuna.

Lladrovci është zgjedhur në krye të komunës në dhjetor të vitit 2016 në zgjedhjet e jashtëzakonshme./Insajderi.com