Pak muaj para se të mbahen zgjedhjet lokale – në Partinë Demokratike të Kosovës ka shpërthyer mospajtimi ndërmjet qendrës e degës së Drenasit rreth emrit të kandidatit për kryetar.
Kryetari aktual, Ramiz Lladrovci i cili gëzon mbështetjen e qendrës së partisë ka përballë strukturën e degës në Drenas që e dëshirojnë Driton Ajazin si prirës për zgjedhjet lokale që mbahen këtë vjeshtë.
Ajazi në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, theksoi se “ka marrë mbështetjen nga strukturat lokale të partisë”.
Ai deklaroi se me Ramiz Lladrovcin “është krijuar një hendek ndërmjet kryetarit, strukturave e qytetarëve”.
Por, Lladrovci është i preferuari për Enver Hoxhajn – partia që ai drejton doli të shtunën në një komunikatë ku kandidaturën e Lladrovcit e cilësoi si “punë e kryer”.
Në komunikatën e kësaj partie, thuhet se “nga janari kryesia e PDK-së ka vendosur që kryetarët që qeverisin nëpër komuan të ri-kandidohen edhe për nga një mandat”.
PDK qeverisë në pesë komuna; Ferizaj, Drenas, Kaçanik, Shtime dhe Dragash.
Sipas Driton Ajazit, “PDK nuk ka përformuar mirë në Drenas”, – fjalën e kishte për zgjedhjet e këtij viti.
Partia Demokratike e Kosovës në votimet e 14 shkurtit kishte dalur e para në Drenas me mbi 62 për qind apo 14.568 vota, por kishte mbrapa Lëvizjen Vetëvendosje me 5.884 vota apo mbi 25 për qind.
Pikërisht, Hoxhaj, “qytetin që drejtohet nga Lladrovci po e merr si pikë reference për qeverisje të mirë”, këtë po e bazon te “çmimi për transparencë në nivel vendi”, të cilin e mori Komuna e Drenasit.
Para syve të kryeministrit Albin Kurti, Lladrovci atë çmim ia dedikoi ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit – për të cilin thotë se nga ai “kishte marrë bekimin” për të kandiduar në Drenas.
Lladrovci të dielën përmes një postimi në Facebook, ka thënë se veç po konfirmohet “vazhdimi i mandatit të tij”.
“Mbetem besnik i zotimeve të mia, për llogaridhënie, punë shembullore me transparencë për qytetarët pa dallim, në pajtim me zotimet që i kam bërë së bashku me z. Veseli”, ka shkruar Lladrovci.
Ndërsa, për Ajazin, të preferuarin e strukturave të PDK-së në Drenas, “partia ka disa muaj kohë që të reflektojë”.
“Unë besoj që qendra do të reflektojë dhe do të pajtohet me vullnetin e degës”, pohoi ai.
Në anën tjetër deputeti që vjen nga kjo komunë, Ferat Shala, i tha Insajderi-it se për këtë punë “flet Enver Hoxhaj”.
Hoxhaj ka reaguar duke thënë se “kandidatura e Lladrovcit është çështje e mbyllur”.
Lladrovci kishte fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas gjatë fundit të vitit 2016, mandatin e plotë e mori përmes votimeve lokale 2017.
Për këto fitore Ajazi shtoi se e kishte mbështetur Lladrovcin në dy palë zgjedhje, duke mos besuar në të tretën e tij – pasi sipas tij “PDK në Drenas ka rënie”.
Këtë subjekt politik në balotazh e kishte sfiduar NISMA e Fatmir Limajt, por zgjedhjet e 14 shkurtit kanë treguar një rritje të subjektit politik i cili drejtohet nga Albin Kurti; Lëvizja Vetëvendosje.
Drenasi bashkë me Skenderajn, Deçanin e Junikun ishin komunat e vetme me shumicë shqiptare ku Lëvizja Vetëvendosje nuk doli e para. /Insajderi.com