Lleshaj për herë të parë flet për dorëheqjen e tij si ministër i Brendshëm i Shqipërisë

Lleshaj për herë të parë flet për dorëheqjen e tij si ministër i Brendshëm i Shqipërisë

Ministri i deritanishëm i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Sandër Lleshaj, ka bërë deklarimin e parë pas dorëzimit të dorëheqjes nga kjo pozitë, njofton Insajderi.

Lleshaj me anë të një teksti të gjatë, ka thënë se ky vendim i tij vjen si shenjë e ndarjes së dhimbjes me familjen e të 25-vjeçarit të vrarë dje nga policia.

“E di fort mirë se shumëkush nuk është dakord sot me këtë vendim. Por megjithatë dëshiroj t’i garantoj ata se vendimi im vjen pikërisht në respekt të tyre dhe aspak si reagim ndaj atyre që e shajnë, shëmtojnë, vjedhin apo e djegin këtë vend”, ka thënë ai.

“Vendimi im vjen si njeri e si prind që ndan modestisht dhimbjen me prindërit e fëmijët e familjes së Klodian Rashës,por edhe si shprehje mirënjohjeje e respekti për ata që më besuan, mbështetën, inkurajuan e që janë fatmirësisht shumica qytetare e Shqipërisë”, ka shkruar Lleshaj në Facebook.

Ai tutje ka shkruar se tani është momenti që të mbyllet kapitulli i angazhimit të tij në krye të dikasterit të cilin e drejton.

“Janë këto arsye që më kanë bindur se TANI ËSHTË MOMENTI për të mbyllur një kapitull angazhimi në krye të Ministrisë së Brendshme, me brengë në shpirt për humbjen e padrejtë të jetës së një djali të ri, i qetë për trajtimin e drejtë të ngjarjes dhe krenar për vendosjen e një standardi diametralisht të kundërt me atë të autorëve të 21 janarit 2011. Edhe sot jam përballë dilemës së fillimit, por në një kuptim tjetër. Nëse në fillim e pranova këtë post për të mos treguar dobësi, sot, në rrethanat e krijuara, dobësi do të ishte ngulmimi për të qëndruar”.

“Përgjatë më shumë se dy vjetëve në krye të Ministrisë së Brendshme, u përpoqa dhe arrita të ndryshoj për mirë shumë gjëra dhe e mbyll misionin tim me rekordet më të mira historike në fushën e rendit dhe të sigurisë publike në 30 vjetët e fundit të historisë së Shqipërisë”, ka shkruar tutje ministri në dorëheqje. /Insajderi.com