Llogoja diskriminuese e 11 vjetorit të Pavarësisë – “Bac ku mbeten çikat”

Qeveria e Kosovës  ka zbuluar llogon për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Mirëpo ajo po del të jetë diskriminuese. Me një mbi shkrim “Kosova nder dhe detyrë”, është vendosur një burrë gatitur mirëpo vajzat që kanë bërë krenare Kosovën si duket janë harruar nga pushtetarët kosovarë.

Llogoja diskriminuese e 11 vjetorit të Pavarësisë – “Bac ku mbeten çikat”

Derisa tërë vitin pushtetarët kosovarë kanë pasur gojën plotë lëvdata për vajzat kosovare që kanë përfaqësuar Kosovën nëpër botë, si duket ato nuk i kanë në planë të parë kur e gjithë bota i ka sytë në ditëlindjen e Kosovës.

Kjo llogo e cila është publikuar gjatë ditës së djeshme nga Erolld Belegu, Këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ende nuk dihet se kush e ka dizajnuar, shkruan Gazeta Insajderi.

Me një mbi shkrim “Kosova nder dhe detyrë”, ku e gjithë foto është e bardhë, është vendosur një burrë gatitur në një shtyllë me ngjyrë të kaltër dhe të verdhë me gjashtë yje përmbi saj.

Por kjo llogo po del të jetë diskriminuese pasi që në plan të parë shihet vetëm një burrë. Derisa kujtojmë se përgjatë një viti ishin gratë dhe vajzat kosovare që bënë krenare Kosovën.

Ishin sukseset e xhudistes nga Peja, Majlinda Kelmendi. Dy herë kampione e botës dhe medaliste e artë olimpike në Rio De Zhanjero dhe më e mirë në ditën e parë të garës në Grand Prix në Tashkentit, shkruan Gazeta Insajderi.

Ishte edhe një e artë tjetër.

Distria Krasniqi kishte fituar medaljen e artë në turneun “Masters” që kishte mbledhur 16 xhudistët më të mirë nëpër kategori. Sukses tjetër kishte shënuar edhe Nora Gjakova. Ajo shkoi deri në finale të Mastersit, në kategorinë deri në 57 kilogramë. Fitoi medaljen e argjendtë.

Nuk ishin vetëm sportistet që i sollën suksese Kosovës.

Këngëtarja kosovare Era Istrefi ishte zëri i kampionatit botëror të futbollit i cili u mbajt në Rusi. Ajo kishte bashkëpunuar me artisë ndërkombëtar të njohur si Ëill Smith dhe Nicky Jam.

Ndërsa kosovarja tjetër tashmë me famë botërore ishte edhe Dua Lipa. Ajo këndoi në hapjen e ceremonisë së finales së Ligës së Kampionëve në Ukrainë.

Për të gjitha këto suksese të vajzave kosovare pushtetarët kosovarë shfrytëzuan profilet e tyre në llogaritë sociale që të krenohen me to. Por si duket sukseset e këtyre vajzave nuk vlejnë për tu krenuar në 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Llogoja e pavarësisë e cila tashmë është bërë publike ka marr edhe kritika. Sipas juristes së të drejtës së medias, Flutura Kusari kjo llogo është diskriminuese.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Kusari ka shkruar se llogoja për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me figurën e burrit është diskriminuese dhe papranueshme.

“Në media e pashë që llogo për 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës është me figurën e burrit. Llogo diskriminuese dhe e papranueshme. Pse me figurën e burrit?”, ka shkruar Kusari.

Ndër tjera duke ju referuar rastit të keqpërdorimit seksual të nxënëses nga Drenasi për të cilën raportoi Gazeta Insajderi. Kusari ka shkruar se “Në kohën kur Kosova përjetoi një ndër skandalet më të mëdha të krimeve seksuale të bëra nga burrat ndaj grave, ju po doni me na detyru që 11 vjetorin me festu me dedikim dhe mirënjohje kushtuar burrave a?”

“Po shihet nderi i burrave të Kosovës në polici, arsim, ushtri, politikë, prokurori, gjykatë”, ka shkruar Kusari.

Kujtojmë se të martën e kësaj jave Gazeta Insajderi ka publikuar hulumtimin “Dhunë, shfrytëzim seksual, abort i detyruar – historia trishtuese e nxënëses nga Drenasi me hetuesin policor”.

Një nxënëse nën moshën 16-vjeçare nga Drenasi, kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj. Por, në vend të gjetjes së ndihmës, ajo ka gjetur një “padron” skllavërues policor.

Pas marrjes së deklaratës, fotografimit të zhveshur të viktimës dhe ekspertizës mjekoligjore, hetuesi V.V., nën kërcënim dhe shantazh e kishte detyruar të bënte seks me të. Pas shfrytëzimit seksual për më shumë se një vjet, vajza kishte mbetur shtatzënë.

Hetuesi, e kishte detyruar vajzën ta abortonte në klinikën e gjinekologut, Fehmi Ahmeti në Prishtinë. Historia e dhunës ka marrë fund të martën kur hetuesi është arrestuar. Prokuroria është informuar për rastin nga Insajderi. /Insajderi.com