Valdrin Lluka, anëtar i Kryesisë së Aleancës Kosova e Re, ka konfirmuar se ky subjekt politik ka pranuar disa oferta për koalicione parazgjedhore, pa specifikuar se nga cilat parti vijnë ato, njofton Insajaderi.
Por, Lluka thotë se ende nuk kanë marrë vendim se si do të garojë në këto zgjedhje, që do të mbahen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti.
“Kryesia e AKR-së ka pranuar disa kërkesa për koalicion parazgjedhore të cilat janë në shqyrtim e sipër dhe besoj që është çështje ditësh, me siguri që këtë javë duhet të vendoset a do të shkohet të vetëm apo me ndonjë partner të koalicionet”, tha ai për EO.
Tutje, ai shtoi se AKR-ja nuk do të ketë “vija të kuqe” me asnjë parti.
Si parti liberale, sipas Llukës, AKR-ja do të mund të bëhet vetëm pjesë e ndonjë koalicioni të vyeshëm për vendin.
“Siç e dini AKR është parti liberale dhe nuk ka vija të kuqe me asnjë parti, në asnjë formë nuk ka pasur. Në tri qeveritë e fundit mund të themi se AKR-ja ka qenë partia vendimmarrëse e shtetformuese me votat e saj dhe kështu do të vazhdojë kjo qasje si parti liberale ne e shohim interesin shtetëror parimor, para interesit partiak dhe në këtë radhë ne mendojmë që do të verojmë në të mirën e vendit duke u siguruar që votat tona, votuesit tanë do të dëgjohen dhe do të jenë pjesë e ndonjë koalicioni të vyeshëm për vendin”, tha tutje ai./Insajderi.com