“Lobuesi sekret” i Thaçit mbron Kosovën në Arbitrazh kundër AXOS

“Lobuesi sekret” i Thaçit mbron Kosovën në Arbitrazh kundër AXOS

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka autorizuar kompaninë amerikane “Patton Boggs”, që ta përfaqësojë Kosovën në kontestin me kompaninë AXOS kapital GMBH, në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në dhjetor të vitit të kaluar, e kishte shpallur fituese këtë kompani që kërkonte mbi 450 mijë euro për mbrojtjen e Kosovës në Arbitrazh.

Kompania e autorizuar sot nga Qeveria e Kosovës ka histori jo të mirë në raportet e saj biznesore me Qeverinë e Kosovës.

Partneriteti i saj me Kosovën përfshinë mungesë suksesesh në lobim, dyshime për keqpërdorim të buxhetit të Kosovës si dhe dyshime për angazhim të saj në interes personal të presidentit aktual Hashim Thaçit, gjatë kohës sa ishte kryeministër.

“Patton Boggs”, kompani lobuese amerikane, këshilltar i të cilës është ish-diplomati Frank Wisner, dyshohet për keqpërdorim të mbi 500 mijë eurove të cilat i ka marrë në vitin 2016 nga Qeveria e Kosovës.

Insajderi në fillim të këtij viti kishte siguruar raportin e dorëzuar në ShBA të kompanisë lobuese “Patton Boggs”, të këshilluar nga ish-diplomati, Frank Wisner.

Aty thuhet se kompania ka marrë nga Qeveria e Kosovës mbi gjysmë milioni euro gjatë vitit 2016.

Dokumentet tregojnë se kompania gjatë vitit 2016 nuk ka raportuar aktivitete të lobimit në interes të Kosovës.

Kjo kompani ka raporte biznesore me Kosovën që nga paslufta. Ato janë nisur nga presidenti aktual Hashim Thaçi.

Atëkohë, në vitin 2000,  Thaçi drejtonte Qeveria e Përkohshme të Kosovës dhe e kishte kontraktuar kompaninë “Patton Boggs”, për të punuar në interes të qeverisë së tij.

Kur  u shpërbë Qeveria e Përkohshme dhe Thaçi doli  në opozitë, raportet biznesore me “Patton Boggs” u zbehën.

Por, u rikthyen kur Thaçi mori pushtetin.

Dhjetë vjet më vonë, më 2010, kur Thaçi ishte tashmë kryeministër i Qeverisë së Kosovës së pavarur, ishin ripërtërirë edhe lidhjet me kompaninë e këshilluar nga Wisner.

Nëpërmjet një procedurë të negociuar, Ministria e Punëve të Jashtme në vitin 2010 kishte kontraktuar kompaninë “Patton Boggs”. Vendimi ishte i kundërligjshëm. Nuk ishte marrë leje nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP). Ishte pezulluar vendimi i MPJ-së.

Pas një viti, më 2011, Ministria kishte marrë lejen nga AQP-ja dhe e kishte kontraktuar kompaninë amerikane, bazuar në procedura ligjore.

Kompania e këshilluar nga Wisner, prej vitit 2011 ka përfituar afër 2 milionë euro nga Qeveria e Kosovës. Obligim i saj ka qenë ‘forcimi i marrëdhënieve Kosovë-ShBA, nxitja e investimeve amerikane në Kosovë’./Insajderi.com