Loja mediatike e Shaqirit me Zvicrën që po i jep shpresë Kosovës

Loja mediatike e Shaqirit me Zvicrën që po i jep shpresë Kosovës

Gjithçka ishte qetë këtë javë në kampin stërvitor të Zvicrës në Montpellier. Pas fitores 1-0 ndaj Shqipërisë dhe barazimit me Rumaninë, skuadra zvicerane kishte fituar vetëbesim dhe përgatitej me optimizëm për ndeshjen lehtësuese me Francën pasi e siguroi kualifikimin.

Megjithatë, një deklaratë e lëshuar nga Xherdan Shaqiri këtë javë ka trublluar ujërat në kampin zviceran, duke lënë të kuptohet se “Euro 2016” mund të jetë turneu i fundit për të në ngjyrat e kombëtares zvicerane.

“Çka nëse trajneri i Kosovës më do mua si kapiten? Natyrisht, unë jam duke menduar për këtë”, tha Shaqiri para dy ditësh për 20min.ch.

Për dallim nga futbollistët e tjerë shqiptarë të Zvicrës, Shaqiri është i vetmi që në bazë të deklaratave të tij, ka lënë të hapur mundësinë e të luajturit me përfaqësuesen kosovare me përfundimin e këtij Kampionati Evropian.

Futbollisti i lindur në Mitrovicë, Valon Behrami ka deklaruar se do të luajë vetëm për Zvicrën dhe se ndihet zviceran, ndërsa Granit Xhaka ka thënë se me kalimin në Arsenal ka vendosur edhe qëndrimin në përfaqësuesen zvicerane, shkruan Insajderi.

“Unë kam vendosur. Do të luajë për Zvicrën edhe pas Euro 2016”, kishte thënë Xhaka në një intervistë me Blick.ch, në ditën e parë të grumbullimit me kombëtaren zvicerane. Ndërsa vëllai i tij, Taulanti, në një reportazh të bërë nga gjiganti mediatik britanik BBC, kishte thënë se Graniti luan për Zvicrën “sepse ndihet 100% zviceran”.

I lindur në fshatin Zhegër të Kosovës, derisa familja e tij emigroi drejt Zvicrës kur ai ishte vetëm 1 vjeç. Futbollistit të Stoke Cityt debutimin me Zvicrën ia kishte dhënë trajneri i njohur Ottmar Hitzfeld, i cili befasoi duke e ftuar atë edhe në Kupën e Botës të po atij viti në Afrikën e Jugut, kur Shaqiri ishte vetëm 18 vjeçar.

Ish-anëtari i Bayernit dhe Interit pak para fillimit të Kampionatit Evropian, në një intervistë me BBC, pati thënë të njëjtat fjalë, të cilat nuk po pëlqehen shumë në opinionin zviceran – madje gazeta e njohur Blick ka shkruar disa herë me radhë për mundësinë e largimit të futbollistëve kosovarë drejt Kosovës, me Shaqirin si yllin kryesor.

“Kur do të përfundojë Kampionati Evropian ne do të marrim një vendim. Momentalisht, jam krenar që luajë për Zvicrën”, ishin fjalët e futbollistit që po i jep shpresë Kosovës se njëri prej yjeve më të mëdhenj kosovarë do të kthehen të përfaqësojnë shtetin e tyre, njofton Insajderi.

Të gjitha këto deklarata erdhën pas caktimit të kapitenëve të rinj të skuadrës kombëtare helvetike pas mungesës së ish-kapitenit Gokhan Inler. Trajneri Vladimir Petkoviç, zgjodhi tre kapitenët e rinj, mbrojtësin Lichschteiner, kapiten të dytë Valon Behramin dhe të tretin Granit Xhakën, e kjo i ka lënë shije të hidhur Shaqirit – i njohur ndryshme edhe si “Messi i Alpeve”.

shak

“Secili dëshiron të jetë kapiten. Natyrisht se jam i zhgënjyer”, deklaronte Shaqiri në fund të muajit maj, menjëherë pas mësimit të emrave të tre kapitenëve të rinj.

Shaqiri nuk është futbollist që dëshiron të lihet nën hijë. Ai është dhe dëshiron të jetë një nga figurat kyçe të skuadrës dhe për këtë ka pasur disa analistë në Zvicër që i kanë interpretuar fjalët e tij si një “reklamim i vetëvetës”, duke u përpjekur që t’iu rikujtoi të gjithëve vlerat që ai posedon.

Gjithsesi, nëse ai dëshiron të ndryshojë përfaqësuese gjithcka është e hapur. UEFA ka krijuar një komision të veçantë që do të shqyrtojë mundësitë që futbollistët kosovarë të kthehen në Kosovë. Ky komision do të dalë me një vendim rreth muajit korrik, siç është bërë e ditur nga UEFA.

Nëse vendimi është pozitiv, atëherë Kosova ka të drejtë t’u dërgojë ftesë futbollistëve të saj në Evropë, e Xherdan Shaqiri duket se do ta marrë hapin e madh për kthim në vendlindje – derisa shumë të tjerë nuk kanë dhënë shenja dëshire për përfaqësimin e Kosovës.

“Lufta” për futbollistët e kosovarë në Zvicër nuk përfshin vetëm Shaqirin, Xhakën apo Behramin. Edhe talentët e rinj si Shani Tarashaj – Everton, Andi Zeqiri – Laussane dhe Florent Hadergjonaj – Young Boys janë gjenerata tjetër e futbollistëve që mund të kthehen në Kosovë pa bërë shumë zhurmë.

Kosova është në Grupin I të kualifikimeve për Botërorin “Russia 2018”, që do të fillojnë në muajin shtator të këtij viti. Kroacia, Islanda, Ukraina, Turqia dhe Finlanda janë skuadrat që do t’i sfidojë Kosova për një vend në botëror. /Insajderi.com