Loja me lojërat e fatit

Jetesa në ditët e sotme në Kosovë është njëfarë loje fati për shumicën. Populli janë aparate lojërash, ndërsa pronarë e lojtarë të tyre janë përfaqësuesit politikë.

Loja me lojërat e fatit

Pamja e ekzekutimit të një të riu në Lipjan, në vendin e tij të punës është e tmerrshme.

Një burrë i armatosur e godet disa herë me plumba pas koke tashmë të ndjerin. Fati i tij i keq pos humbjes së jetës është edhe vendi i punës, një pikë bastesh e pa licencuar.

Një krim tjetër vrasjeje i njëjtë për nga mënyra e kryerjes ka ndodhur para pak ditësh në Suharekë. Vrasësi dyshohet të jetë një polic, i afërm me deputetin, Blerim Kuqi, ndërsa viktima – një i ri i cili ka punuar për bukën e gojës.

Këto dy krime brenda një jave në biznesin e lojërave të fatit janë paralojë e një loje bandash e banditësh me pronarë njerëz të politikës, që nuk dihet kur dhe si do të përfundojë.

Pronësia dhe kontrolli i politikanëve mbi këtë biznes të ligjshëm, e ka shënjuar atë si biznes të rrezikshëm që sipas propozuesit të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Avdullah Hotit duhet të mbyllet.

Thirrja e kësaj seance nuk është aksion politik me qëllim të pastër rendin dhe ligjin, por reaksion pas dy ngjarjeve tragjike në Suharekë e Lipjan.

Puna në një biznes lojërash, e dy viktimave, nuk do të ishte përcaktuese për fatin e tyre, nëse shteti do të vinte dorë për të vënë rend në këtë biznes.

E, pikërisht për këtë katrahurë fajtorë të mëdhenj janë dy drejtorët e afërm me LDK-në, ai i Doganës, Bahri Berisha dhe ish-drejtori i ATK-së, Sakip Imeri. Të dy këta zyrtarë të afërm me Avdullah Hotin, e kanë ditur se shumica e pikave të basteve e kazinove punojnë në mënyrë të paligjshme dhe pa licencë.

Por, nuk kanë guxuar, e mbase edhe kanë pasur interes që mos t’i mbyllin ato.

Si drejtori i Doganës, Bahri Berisha, ashtu edhe ish-drejtori i ATK-së, Sakip Imeri, kanë pasur të dhëna të sakta se sa pika bastesh e lojërash të fatit punojnë pa licencë.

Të dy e dinë se nga kjo veprimtari ilegale buxhetit të shtetit i kanë shkaktuar mbi 30 milionë euro humbje vjetore.

Të dy e dinë se cilat kompani kanë me mbi 50 pika të pa licencuara.

Të dy kanë pasur informacion se vetëm njëra prej këtyre kompanive ka rreth 50 pika të pa licencuara në gjithë Kosovën. Të dy e dinë se si fshihet kjo veprimtari prapa vitrinave me mbishkrime, Bilardo, Sony Play Station, Caffe Bare, Sport Bare, etj.

Kjo kompani me rreth 50 pika të pa licencuara bazuar në Ligjin e Lojërave të Fatit dhe vendimin për taksën e Akcizës del se paguan akcizë mujore për 6 lokacione në vlerë 5,040 euro, e në fakt ata do të duhej të paguanin për 48 lokacione, në vlerë prej mbi 40 mijë eurosh.

Nga kjo veprimtari ilegale rrjedh se kjo kompani do të duhej t’ia paguante shtetit mbi 30 mijë euro në muaj.

Rrjedhimisht, buxheti i shtetit humbë afër gjysmë milioni euro në vit si pasojë e moszbatimit të ligjit.

Dogana dhe ATK-ja, e dinë po ashtu se një kompani tjetër e lojërave të fatit i ka të regjistruara 185 aparate, derisa 299 aparate i ka ilegale.

Një llogaritje e thjeshtë del se për aparatet e regjistruara i paguan shtetit 129,500 euro. Për 299 aparate ilegale, shtetit nuk ia paguan 209,300 euro. Akciza mujore për një aparat është 700 euro në muaj.

Vlera totale e dëmit vjetor të shtetit llogaritet që arrin në 957 mijë euro.

Shteti po ashtu e di se në Kosovë punohet ilegalisht në mbi 400 pika lojërash të cilat janë të ndaluara me ligj si: Keno, Qen, Joy, Poker, etj .

Këto lojëra të ndaluara janë të vendosura nëpër pika të bastit të cilat janë të licencuara dhe të pa licencuara.

Këto subjekte nuk paguajnë asnjë cent taksa për shkak të veprimtarisë ilegale, për të cilat është në dijeni Dogana dhe ATK-ja.

Përgjigja se pse kjo veprimtari është lejuar të zhvillohet në mënyrë të paligjshme në sy të të gjithëve është se pronarë, apo prapa tyre qëndrojnë njerëz të fuqishëm të lidhur me PDK-në, LDK-në, e AAK-në.

Nxitimi për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, i iniciuar nga shefi i grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, nuk ka qëllim vënien e rregullit, por përfitimet politike nga debati për këtë biznes që nuk ka imazh të mirë.

Krime të rënda kanë ndodhur edhe në bizneset tjera. Nuk kanë kaluar tre muaj nga vrasja e një polici në Istog, si pasojë e një grabitje të armatosur në degën e bankës NLB.

Thuajse çdo javë mbyten njerëz në trafik.

A duhet të ndalohen veturat në Kosovë apo të vendoset rend dhe ligj, duke ndaluar shitjen e patentë shoferëve?

A duhet të mbyllet banka se pse është vrarë polici?

Jo.

Debati duhet fillimisht të orientohet kah thirrja në përgjegjësi e të gjithë atyre që kanë lejuar këtë veprimtari të funksionojë në këtë mënyrë. Duhet të kërkohet llogari se pse kemi një polici të tillë, pjesëtarë të së cilës kryejnë vrasje dhe grabisin biznese.

Duhet të kërkohet llogari se pse grabitësit nuk po arrestohen dhe dënohen.

Duhet të kërkohet llogari nga menaxhmenti i Doganës dhe ATK-së, se pse e ka lejuar veprimtarinë ilegale të lojërave të fatit, përfshirë pikën ilegale në Lipjan në të cilën u vra një i ri në vendin e punës.

Për gjithë këtë situatë fajtore është politika e interesit e lidhur me krimin dhe mosndëshkimin. E, kur të sqarohen të gjitha këto, mund të merret vendim për mbylljen e lojërave të fatit, me kusht që mos të ndodh si në Shqipëri ku pronarë i hoteleve dhe kazinove në bregdet pritet të bëhet, vëllai i Edi Ramës.