Rreth 50 anëtarë të familjes Berisha nga Suhareka u masakruan nga forcat serbe më 26 mars të vitit 1999, njofton Insajderi.
Në përvjetorin e 22-të të kësaj masakre, lokali ku ndodhi kjo ngjarje e tmerrshme është kthyer në muze.
Në këtë organizim me homazhe në Kompleksin Memorial, mori pjesë kryetari i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, si dhe familjarë e miq të familjes Berisha.
Sipas të pranishmëve, ky muze u bë që të ruhet ashtu siç është ruajtur deri më tani, në mënyrë që faktet e gjenocidit serb mbi popullatën civile në Kosovë të mbeten të freskëta për drejtësinë.
Ndryshe, para 22 vjetëve në Suharekë, paramilitarët serb masakruan rreth 50 anëtarë të familjes Berisha, duke lënë të mbijetuar vetëm Gramoz Berishën i cili atëherë ishte vetëm 8 vjeçar, të ëmën e tij, Vjollca Berisha dhe gruan e axhës, Shyhrete Berisha. /Insajderi.com