Lokali në Prishtinë që u dogj nuk ishte funksional

Lokali në Prishtinë që u dogj nuk ishte funksional

Lokali në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë, i cili mesditën e së hënës u përfshi nga flakët, ishte jofunksional dhe nuk ka pasur njerëz përreth.

Në vendin e ngjarjes veç policisë dhe zjarrfikësve kanë dalë edhe zyrtarë komunal, të cilët kanë deklaruar se nuk ka njerëz të lënduar.

Foto nga vendi i ngjarjes

Ndërkohë, Drejtoresha e Shërbimeve Publike në komunën e Prishtinës, Medina Braha, para mediave ka deklaruar se ka vetëm dëme materiale në pjesën e epërme, në një lokal të pashfrytëzuar, ndërsa te lokalet poshtë nuk ka djegie.

Sipas saj, organet kompetente do të zhvillojnë hetimet për të kuptuar shkaqet e zjarrit.

“Këtu jemi sot siç njihet “Parku i Heroinave” dhe kemi pasur një rast ku ka pasur djegie të një lokali lart. Fatmirësisht ajo pjesë është jofunksionale dhe nuk është duke u shfrytëzuar dhe fatmirësisht edhe lokalet poshtë nuk janë prekur”.

“Do të thotë që kemi vetëm dëme materiale të pjesës lartë kurse lokalet poshtë nuk kanë pësuar ndonjë djegie. Organet do të bëjnë hetimet dhe do të të vijnë në përfundim se çka është shkaktari por tani zjarri veçse është lokalizuar”, është shprehur Braha./Insajderi.com