Luan Dalipi, shefi i stafit të Albin Kurtit gjatë kohës sa ishte kryeministër ka pranuar se është takuar me shefin e zyrës ndërlidhëse të Serbisë, Dejan Paviçeviq. Ai thotë se takimi ka ndodhur pas ftesës që i ka ardhur nga Daniela Eichhorst – zyrtare e lartë e Komisionit Evropian dhe nga ish ministri i financave, Besnik Bislimi.
Pas akuzave të bëra nga deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, për takimin e Luan Dalipit me Dejan Paviçeviq, ky e fundit e ka pranuar dhe ka shpjeguar arsyet e atij takimi.
Në rrjetin e tij social Facebook, Dalipi fillimisht i ka quajtur shpifje deklarimet e Lushtakut, duke thënë se ai po e helmon opinionin publik në Kosovës. Madje ai ka thënë, se një gjë të tillë Lushtaku e ka bërë meqë e di që së shpejti do të perëndojë karriera e tij politike, prandaj është “qartur kështu ai dhe grupi i tij politik”, njofton Insajderi.
“Lehtësia me të cilën shpifin shumë politikanë ‘patriotë’ folkloristë sot është tregues se në çfarë niveli të ulët ka ra politikbërja në Kosovë. Pikërisht ata që po shpërndajnë dezinformata sot janë ata që e kanë sjellur vendin në këtë situatë me sjelljet e tyre destruktive këto 20 vitet e fundit. Këta po e dijnë që shpejt po iu perëndon jeta politike në vend, prandaj janë qartur kështu, që nga 6 tetori e këndej. Me të vërtetë duhet t’i kthehemi shpejtë kutive të votimit”.
Më poshtë ai ka sqaruar edhe arsyer e atij takimi, të cilat sipas tij kanë qenë të koordinuara nga zyrtarja e lartë e Komisionit Evropian, Daniela Eichhorst, dhe ministri i financave, Besnik Bislimi, për bashkërenduar veprimet kundër pandemisë COVID-19.
“Refuzimi blanko nga ana jonë për të komunikuar në luftën kundër pandemisë jo vetëm që do të kishte ndaluar ndihmën për shqiptarët e Preshevës, por edhe do të kishte rrezikuar një shpërthim të epidemisë në komunat me shumicë serbe, gjë që kishte kërcënuar jetën dhe shëndetin e të gjithë qytetarëve të Republikës, pa marrë parasysh nga cili komunitet vijnë.
Pas kërkesës së znj. Eichhorst, zëvendësministri i Financave dhe Transfereve më ka ftuar në cilësinë e përfaqësuesit të Kabinetit të Kryeministrit, të marr pjesë në takim zyrtar mes përfaqësuesve të dy shteteve. Takimi është mbajtur më 18 mars 2020, në sallë të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, në ndërtesë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kjo është hera e vetme që unë jam takuar me ndërlidhësin në fjalë. Vlen të theksohet që z. Abazi, i përfolur në fjalimin e z. Lushtaku, nuk ka qenë në atë takim”. /Insajderi.com