Luani i Gjilanit është sjellë në Kosovë kundërligjshëm

Luani i Gjilanit është sjellë në Kosovë kundërligjshëm

Një luan i cili po mbahet i mbyllur në kafazin e një restoranti në fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit dyshohet se është futur në Kosovë në mënyrë ilegale.

Për këtë ka reaguar edhe avokati Arianit Koci i cili ka thënë se ky luanë është sjelëë në Kosovë në kundërshtim me nenin 10 të ligjit për përkujdesjen ndaj kafshëve.

“Luani i Gjilanit si po e quajnë kollokvialisht, është sjellë në Kosovë në kundërshtim me nenin 10 të Ligji Nr. 02/L-10 PËR PËRKUJDESJEN NDAJ KAFSHËVE, i cili në mënyrë eksplicite e ndalon importimin, shitjen apo mbarështimin e kafshëve agresive, që mund të paraqesin rrezik për sigurinë dhe shëndetin e njeriut apo kafshëve tjera”, ka shkruar Koci.

Ai ka thënë se “Urgjentisht, sonte duhet të filojë procedura e konfiskimit të luanit – dhe të vazhdohet me proceduren e ekstradimit në ndonjë azil”.

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve kanë reaguar për mbajtjen e kësaj kafshe të egër në kafaz duke kërkuar nga institucionet e shtetit që të reagojnë.

“Avokatët e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve do të shqyrtojnë ligjet në fuqi dhe do të veprojmë në të mirën e luanit që mbahet në kafaz të vogël, sa më shpejt që të jetë e mundshme. Mbajtja e kafshëve në këtë mënyrë, importimi i tyre (me gjasë edhe i jashtëligjshëm) tregojnë mirë sa i dobët është shteti në mbikëqyrje të situatave të tilla. Shpresojmë edhe në vëmendje të organizatave ndërkombëtare në mënyrë që ta nxjerrin luanin nga ai vend” thuhet në reagimin e tyre.