Lufta e Kosovës: Luftë parimesh dhe personalitetesh

Lufta e Kosovës: Luftë parimesh dhe personalitetesh

“Kosovarët patën fat që vuajtja e tyre dhe liria e tyre u bënë çështje planetare mediale, çështje e kuptimit të ekzistencës së Paktit NATO, çështje e ngadhënjimit të qytetërimit ndaj barbarisë. Liria e Kosovës është vlerë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ajo u falet heronjve dhe martirëve të Kosovës dhe jetëshkrimeve të personaliteteve të mëdha të Perëndimit, në mesin e të cilëve është edhe gjenerali Wesley Clark”. Telegrafi risjell shkrimin e botuar më 2002 në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, të editorit të dikurshëm të këtij mediumi, Blerim Shala. Fjala është për një analizë që ndërlidhet me veprën “Waging Moderne War” (2002), të gjeneralit Clark.

Në janar të atij viti, Madeleine Albright bëhet sekretare e Shtetit në Administratën e dytë të presidentit të SHBA-së Bill Clinton. Në maj, Britania e Madhe fiton qeverinë e re, laburiste, me kryeministrin Tony Blair dhe sekretarin e Jashtëm, Robin Cook. Më 11 korrik të vitit 1997, në Mons, Belgjikë, në SHAPE (Supreme Allied Powers Europe), gjenerali Wesley Clark zgjedhet Komandant i Forcave të Paktit NATO (SACEUR, Supreme Allied Commander, Europe).

Albright, Blair, Cook dhe Clark do të jenë ata të cilët shtynë Perëndimin për të bërë luftën e cila perëndoi epokën e okupimit të Kosovës.

Lufta për Kosovën ishte, para së gjithash, luftë e parimeve dhe personaliteteve e jo luftë interesi.

Këtë e dëshmon më së miri libri i gjeneralit Wesley Clark “Waging Modern War”. Kur mbyllet leximi i tij, lexuesi, posaçërisht nëse ai është shqiptar i Kosovës, nuk do të mund t’i ikë konkludimit: Liria e Kosovës është mrekulli në vete.

Pak kohë pas përfundimit të luftës së NATO-s për Kosovën, në Toronto, Kanada, do të mbahet takimi i Aleancës Veriatlantike në nivel ministrash të mbrojtjes, i cili para së gjithash u dedikohej mësimeve të nxjerra nga fushata 78-ditëshe e NATO-s. Njëri nga ministrat pohoi që mësimi sipëror është që “ne kurrë më nuk do të bëjmë këtë që bëmë…”. Ministri i Jashtëm i Francës, Hubert Vedrine, do të pohojë, në vijim të këtij qëndrimi, që lufta për Kosovën ishte diç e veçantë, një përjashtim nga rregulli e jo diç që dëshmon ndërrimin thelbësor të politikës perëndimore, shkruan Telegraf.

Në vitin 1964, teksa gjendej në West Point, akademia ushtarake më prestigjoze në botë, Clark do të diskutojë për luftën, vdekjen, Vietnamin, me shokun e gjeneratës Alex Hottell, i cili do të vritet gjashtë vjet më pas në Vietnam. Përfundimi i kësaj bisede ishte që nëse nuk ka për çka të luftojë dhe të vdesë njeriu, nuk ka edhe për çka të jetojë. Mundësia për të luftuar për atë që është e drejtë, për gjeneralin Clark është njëra nga dhuntitë më të mëdha të jetës. Ky këtë e dëshmoi me jetën e tij.

Lufta për Kosovën jo vetëm që përmbysi një rend shtetëror të mbajtur nga Beogradi për gati një shekull të tërë, falë luftërave të mëparshme ballkanike dhe botërore në të cilat Serbia u gjet në anën perëndimore të historisë, por aq më tepër kjo luftë përmbysi pothuaj të gjitha rregullat politike dhe ushtarake të cilat ishin në fuqi në Perëndim pas Luftës së Dytë Botërore. Mbase për këtë shkak, në asnjë të vetmin rast, zyrtarët perëndimorë nuk do ta quajnë luftë konfliktin e Paktit NATO me Serbinë dhe nuk do ta festojnë fitoren e cila me gjasë, do të jetë vendimtare që Ballkanit t’i hiqet mbiemri “Fuçi baroti” të cilin e kishte fituar në fillim të shekullit XX, atëherë kur nga këtej u largua Perandoria Osmane.

“Luftë moderne”, e cilëson Gjenerali Clark luftën për Kosovën. Kjo luftë u paraqit, sipas tij, si funksion i historisë dhe kulturës, si rezultat i NATO-s, i mediave, i teknologjisë.

Lufta për Kosovën, në fakt, bashkëdyzoi një mori përvojash luftarake: prej asaj të Luftës së Dytë Botërore, Luftës së Vietnamit, intervenimeve të limituara ushtarake amerikane në Panama dhe Haiti, Luftës së Gjirit, Luftës së Bosnjë-Hercegovinës deri te Lufta e Ftohtë. Të gjitha kontradiktat dhe frustrimet e mundshme që janë trashëgimi e këtyre luftërave, dolën në sipërfaqe gjatë fushatës së Paktit NATO, na tregon Gjenerali Clark në librin e tij “Waging Modern War”.