“Lufta e UÇK-së nuk ishte e pastër” – Shkëlzen Gashi edhe në 2011 e kishte ofenduar luftën e Kosovës

“Lufta e UÇK-së nuk ishte e pastër” – Shkëlzen Gashi edhe në 2011 e kishte ofenduar luftën e Kosovës

Deklarata e Shkëlzen Gashit, ish-këshilltar i kryeministrit në detyrë , Albin Kurtit, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka kryer krime ndaj komunitetit serb gjatë luftë në Kosovë, ka nxitur reagime të shumta. E përpos kësaj, rezultoi me shkarkimin e tij.

Mirëpo Gashi mendime të tilla del të ketë pasur edhe shumë vitë më parë. Ai më 24 janar të vitit 2011, kishte publikuar një opinion në profilin e tij në Facebook me titull “A po shpif Dick Marty?”, shkruan Gazeta Online Insajderi.

Në të, Gashi kishte shkruar se lufta e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës nuk ishte e pastër sa duhet dhe se qytetarët e Kosovës duhet ta dijnë të vërtetën për krimet shqiptare ndaj serbëve që kanë ndodhur në Kosovë.

“Në raportin e Marty-t nuk ka kurrfarë tendence për me i barazue krimet e forcave sërbe kundër shqiptarëve të Kosovës me krimet e pjesëtarëve të UÇK-së kundër civilëve të pafajshëm sërbë dhe të përkatësive tjera etnike/politike. Duket ashiqare se qëllimi i këtij raporti është mos me u heshtë krimet e kryeme nga pjesëtarë të UÇK-së. Në thelb, luftat ndahen në lufta të drejta dhe të padrejta. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë meqë synonte me e çlirue një territor të okupuem dhunshëm. Por, meqë nuk ka luftë krejtësisht të pastër, as lufta e UÇK-së nuk ishte e tillë,”, thuhet në këtë opinion të Gashit.

Ai tutje shton se ish-liderët e UÇK-së duhen të japin përgjegjësi për të zhdukurit dhe se ata nuk duhet ta përfaqësojnë Kosovën në negociata me Serbinë me arsyetimin se në tryezë me palën serbe, do të diskutohet edhe autonomia për serbët e Kosovës

“Ish-liderët e UÇK-së duhen me dhanë përgjegjësi për të zhdukurit. Ata nuk është mirë as me e përfaqësue Kosovën në negociata me Sërbinë, kur dihet se ndër temat kryesore, përveç çështjes së të zhdukurve, ka me qenë edhe statusi ‘europian’, pra autonomia, për sërbët e Kosovës. Prandaj, për mos me dhanë përgjegjësi për çështjen e të zhdukurve, ish-liderët e UÇK-së – shumë prej të cilëve edhe të korruptuem – mund të bëjnë, qysh e dëshmon e kaluemja e tyre, lëshime të mëdha në pikën kryesore të këtyre negociatave: me e nënshkruejtë statusin ‘europian’ për serbët e Kosovës”, vijon tutje.

Mesditën e sotme kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka marrë vendim për shkarkimin e Shkëlzen Gashit,/Insajderi.com/