“Lufta” për merita ndërmjet partive për Ushtrinë

“Lufta” për merita ndërmjet partive për Ushtrinë

Edhe krijimin e Ushtrisë, partitë politike në Kosova e kanë shfrytëzuar për marrjen e meritave.

Duke nisur që nga LDK-ja, PDK-ja e partitë tjera, u thirrën në punën që e kanë bërë ndër vite për transformimin e FSK-së.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në fjalën e tij para deputetëve tha se kontributi i partisë së tij për Ushtrinë, ishte i madh.

Ai përmendi edhe ish-presidentin, Ibrahim Rugova që sipas tij ka bërë punë të madhe që Kosova ta ketë Ushtrinë.

“LDK-ja gjatë gjithë kohës sa e ka udhëhequr qeverinë ka bërë përpjekje që Kosova ta ketë Ushtrinë, e kjo të bëhet me aletatët ndërkombëtar. Kontributi i LDK-së për krijimin e Ushtrisë është i pakontestueshëm”, deklaroi Hoti.

Për këtë temë, merita tentoi të marrë edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Deputeti i kësaj partie, Fatmir Xhelili duke kritikuar ata që po “lavdërohen” tha se PDK-ja ka kontribuar për Ushtrinë e Kosovës, qysh  nga UÇK-ja.

“Dihet se kush ka kontribuar që Kosova ta ketë Ushtrinë që nga koha e UÇK-së. Fjalimet rrahagjokëse në këso raste nuk kryejën punë”, tha Xhelili.

Në këtë debat u përfshi edhe deputeti i VV-së, Rexhep Selimi.

Ai theksoi se askush nuk duhet të akuzojë partitë politike shqiptare, që nuk e ka përkrahur transformimin e FSK-së.

“Nuk mendoj se është mirë që dikush të akuzojë partitë shqiptare se janë kundër formimit të Ushtrisë”, tha Selimi.

Akuza për vonesat në krijimin e Ushtrisë pati edhe deputetja e PSD-së, Aida Dërguti.

Ajo tha se Ushtria ka mundur të formohet qysh më herët, por që sipas saj kjo u vonua për shkaqe politike të disa partive.

“Për shkak të inateve politike, Ushtria nuk ka mundur të formohet më herët. E tash është mundësia që ta bëjmë vetëm me rritjen e kompetencave”, deklaroi Dërguti.

Në Kuvend do të diskutohen tri projektligje: Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës,

Ndryshe deri më tani kundër këtij ligji ka dalur vetëm Lista Serbe. /Insajderi.com