Përderisa presidenti turk Erdogan po përdor fuqinë e tij ndërkombëtare për të sulmuar armikun e tij Gulen që ka krijuar fuqi nëpërmjet bizneseve dhe shkollave nëpër botë, dy taborët politike turke ekzistojnë edhe në Kosovë e Shqipëri. Kjo “luftë” më së shumti e bartur në rrjetet sociale.
Kur presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan kishte vizituar Kosovën para disa viteve, Prizreni ishte mbushur me përkrahës të tij.
E kur këtë vit, ai u përballë me një puç ushtarak për ta rrëzuar nga pushteti dhe Erdgoan drejtoi gishtin tek Guleni, qindra qytetarë të Prizrenit dolën në rrugë të festojnë dështimin e këtij puçi.
Përtej rrugëve, kjo përballje e liderëve turk tek shqiptarët është e vendosur edhe në një “front” tjetër: rrjetet sociale, përkatësisht në Facebook.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdoğan, ka një mbështetje të madhe nga përkrahësit shqipfolës në rrjetin social “Facebook”.
Madje një faqe me emrin “Support for Erdogan from Kosovo”, shpërndan materiale në gjuhën shqipe për aktivitetet e Erdoğanit.
Faqja ka rreth 29 mijë pëlqime.
Ngjashëm sikurse Erdoğan, mbështetje ka edhe rivali i tij Fethullah Gülen , i cili po ashtu ka një llogari të hapur në Facebook me njoftime në gjuhën shqipe.
Gülen ka më pak përkrahje në Facebook, krahasuar me Erdoğan.
Faqja që përkrahë Gülen ka rreth 8 mijë ndjekës.
Në publikimin e fundit të “Support for Erdogan from Kosovo”, është shpërndarë një video, ku Recep Tayyip Erdoğan dhe një student nga Kosova bashkëbisedojnë për mbështetjen që ka dhënë Turqia për Kosovën, si në përkrahjen e studentëve, ndërtimin e xhamive, urave dhe mbështetjen politike për Kosovë.
Njësoj vepron edhe faqja zyrtare e Fethullah Gülenit, mirëpo ajo në fokus ka më shumë shpërndarjen e materialeve në lidhje me sulmin e Erdoğan dhe mekanizmave të tij kundër Fethullah Gülenit dhe lëvizjes së tij të quajtur “Hizmet”, ku shumica e materialeve janë përkthime, lajme, intervista në lidhje me sulmet e ashtuquajtura ndaj Fethullah Gülenit.
Materialet që shpërndahen nga këto dy faqe shpesh edhe sponsorizohen nga administratorët e këtyre faqeve, në mënyrë që të ketë sa më shumë ndjekje të aktiviteteve të tyre, nga përdoruesit e rrjetit social “Facebook”.
Presidenti aktual i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, gëzon mbështetje më të madhe në “Facebook” se sa rivali i tij Fethullah Gülen, pasi që në emër të Recep Tayyip Erdoğan janë të hapura edhe të tjera llogari në gjuhën shqipe, të cilat gjithashtu edhe kanë ndjekës në numër të madh, siç është faqja me emrin “Ta shohim sa shqiptar e duan Recep Tayyip Erdoğan”, e cila ka më shumë se 32 mijë ndjekës./Insadjeri.com