“Fëmijëror”, “për keqardhje”, zhgënjyes, dëshpërues” dhe “për interesa personale e klanore”. Kështu është parë nga analistë, njerëz të mediave e politikanë, debati për Kosovën dhe gjykimin e ish-themeluesve të UÇK-së, i zhvilluar në Twitter në mes të Edi Ramës e Lulzim Bashës. Rama e Basha kanë akuzuar njëri – tjetrin, por do duhej të bënin krejt të kundërtën, thonë njohësit e zhvillimeve në Kosovë të pyetur nga Gazeta Online Insajderi për këtë luftë shkronjash në mes të dy kundërshtarëve politik në Shqipëri.
Replikat dhe akuzat e shkëmbyera të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me kryetarin të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë ditës së diel, lidhur me raportin e Dick Martyt, po konsiderohen “debat infantil politik” dhe i panevojshëm.
Kështu thotë në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, nën-Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, Ralf Gjoni, njëherësh edhe ish-zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, i cili thotë se ky debat politik në Shqipëri mbi Gjykatën Speciale të Kosovës është i dëmshëm për kauzën shqiptare.
“Personalisht kam qenë kundër hetimit nga një gjykatë e tillë për aludime të pabazuara mirë ndaj ish udhëheqësve të UÇK. Unë besoj se prapa saj fshihen qëllime dashakeqe të aktorëve të caktuar politik të investuar qartazi në avancimin e agjendave anti-shqiptare”, ka thënë Gjoni, duke shtuar se lufta e UÇK-së u zhvillua “krah për krah me aleatët tanë të NATO-s dhe me mbështetje të plotë amerikane e britanike”.
Andaj, shton ai, “është e rëndësishme që proceset e dhomave speciale të mos përdoren politikisht për të baltosur luftën e drejtë të Kosovës”.
Se një debat i tillë lidhur me pretendimet e tyre sa i përket raportit të Dick Martyt, nuk ndihmon askënd, madje as vetë aktorët që janë futur në këtë debat, e thotë edhe gazetari nga Shqipëria, Lutfi Dervishi.
Dervishi thotë se kjo betejë midis dy kundërshtarëve politikë, të cilët mundohen të tregojnë se kush është më patriot në kurriz të halleve të Kosovës, nuk ndihmon as ata që janë në Hagë dhe as ata që bëjnë ping pong politik në Tiranë apo Prishtinë.
“Duket sikur debati më shumë është bërë për të vënë baltë ndaj kundërshtarit politik këtu sesa për t’i ardhur në ndihmë Kosovës apo njerëzve që sot përballen me drejtësinë në Hagë.
Për këtë është keqardhje që të përdoret Kosova për betejë politike”, pohon autori i emisionit “Përballë” në Radio Televizionin e Shqipërisë, kur u pyet nga Insajderi.
Sipas tij, “ajo që në të vërtetë do të ishte debat është se çfarë mund të ishte bërë më mirë gjatë këtyre 10 viteve për të mos u ndodhur në pikën ku janë sot dhe mbi të gjitha çfarë mund të bëhet më mirë sot e tutje.
“Ata që sot ndodhen në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, kur kanë dalë për të luftuar për lirinë e Kosovës nuk e kanë menduar se do të kthehen në darkë në shtëpi dhe ata kanë dalë për një kauzë më të madhe. Kauza e tyre e madhe, ëndrra e tyre e madhe është plotësuar fatmirësisht për shkak të rolit, kontributit, sakrificës që kanë bërë dhe padyshim për shkak se në kauzën e vetë e patën mbështetjen e Perëndimit. Një gjë nuk duhet ngatërruar, nëse Kosova do t’i kishte bërë mirë disa punë, do të kishte hetuar me më shumë përgjegjësi brenda Kosovës disa raste të krimeve të luftës apo pasluftës situata sot do të ishte krejt tjetër. , Lufta nuk është teatër, lufta ka rregullat e veta, nuk është operacion sanitar dhe humanitar, është luftë për jetë a vdekje. Personat që sot janë në Hagë kanë historinë me vete, e dyta prezumohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, ka thënë tutje Dervishi.
Sipas tij, Kosova ka një përvojë të mirë në ballafaqimin me drejtësinë ndërkombëtare, gjë që e ka dëshmuar ish-kryeministri Ramush Haradinaj, e që në të njëjtën vijë, Dervishi mendon se do të shkojë edhe Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë.
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Faton Abdullahu, thotë se reagimet e zyrtarëve të lartë në Tiranë, pozitë-opozitë, janë të pakuptueshme dhe po ngjallin neveri jo vetëm politike në Kosovë.
“Në kohën kur Kosova po kalon ditë të vështira, dhe gjendet në një situatë jo të qëndrueshme, ajo e pakta që asaj i duhet nga Tirana është një unitet pragmatik i spektrit politik atje, për arrestimet që ndodhën ditëve të fundit”, thotë ai për Insajderi-n.
“Ajo që nuk i duhet aspak, e që po ngjallë zhgënjim e dëshpërim, është që këto ngjarje të përdoren e keqpërdoren vetëm për përfitime klanore e interesa personale. Sot Kosovës nga Shqipëria i duhet një vlerësim i sinqertë e i drejtë dhe një qëndrim unik e vëllazëror, mbi vlerat e luftës, mbi veprat dhe flijimet të ushtarëve dhe prirësve të UÇK-së, dhe mbi padrejtësinë dhe njollosjen që po i bëhet të kaluarës së saj, duke akuzuar sot me trillime ata që dje i dolën përball regjimit millosheviqian”, ka përfunduar ai.
Debati virtual lidhur me miratimin e raportit të Dick Marty, në mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nisi para tre ditëve kur Rama pyeti këtë të fundit lidhur me “sajesën e Shtëpisë së Verdhë”, për çka menjëherë erdhi reagimi nga vetë Basha.
Kreu i PD-së tha se Rama “bën zëdhënësin e Beogradit”. Kurse, Rama ka pyetur me ironi Bashën “nëse është e vërtet se ka përdorur maskë qysh atëherë, kur merrte në pyetje shqiptarët për llogari të zotit Dick”.
“Fol Lulëzim, thuaje të vërtetën!”- kështu shkroi në Twitter kryeministri Edi Rama, si një kundërpërgjigje ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Derisa Basha i ka quajtur pretendimet e Ramës “shpifje dhe lojëra politike”, ky i fundit i ka kërkuar përsëri përgjigje të tjera në lidhje me atë që sot njihet si “Shtëpia e Verdhë”.
“Përgjigju për faktin që ke qenë bashkë me mjekun peruan në bërjen e dosjes për Shtëpinë e Verdhë! E thuaje çfarë mendon për votën e PD-LSI pro raportit të Dick Marty!”, shkroi kreu i Qeverisë së Shqipërisë.
Debati vazhdoi për disa orë në mes të dy liderëve shqiptarë që kthyen Twitterin në një fushëbetejë akuzash./Insajderi.com