Mikrobiologu Lul Raka ka qenë i ftuar në emisionin “Personale” në RTV Dukagjini ku ka folur për jetën dhe karrierën.
Raka ka folur për vaksinat dhe vonesat e ardhjes së tyre në Kosovë.
Ai thotë se i gjithë rajoni ka pasur vonesa në vaksina por sipas tij Serbia sidomos mungesën e ka mbuluar me vaksinat kineze dhe ruse që thotë se nuk janë të licensuara në Evropë.
Mikrobiologu ka inkurajuar qytetarët që të marrin vaksinën AstraZenaca pasi sipas tij efektet anësore të saj janë shumë më pak të dëmshme se ato që i shkakton duhani.
Ai thotë se personalisht ende nuk është vaksinuar por shton se ka një arsye pse nuk e ka bërë këtë.
“Unë në fillim nuk e kam marrë vaksinën pasi vet sapo e kam kaluar virusin. Vaksinën që unë kam pasur ta marr, le ta merr ndonjë 85-vjeçar sepse një dozë e vetme e vaksinës AstraZeneca e ruan pacientin nga vdekja dhe hospitalizomi i rëndë 21 ditë pas marrjes së saj”, tha mikrobiologu, përcjell Telegrafi.
Raka thotë se pikërisht për këtë arsye nuk e ka marrë vaksinën pasi sipas tij nuk ka nevojë për t’u frikësuar nga vaksina Astra Zeneca.
“Në cilindo spital në Kosovë ku jepet kjo vaksinë unë jam i gatshëm të shkojë ta marr. Me sa po duket do të më duhet ta marr para kohë për të treguar se kjo vaksinë nuk është e dëmshme”, ka shtuar më tej Lul Raka./Insajderi.com