Opinionistja Luljeta Aliu, është deklaruar rreth komentit të bërë mbrëmë në emisionin “Pressing” të T7, për çka thotë se ka reaguar shpejt dhe tani po i bartë pasojat, njofton Insajderi.
Ajo ka kërkuar falje ndaj njerëzve që i ka lënduar me deklaratën e djeshme, duke thënë se nuk ka pasur mendim të ofendojë qytetarët, dhe shton se e ka pasur fjalën për fshatin Krilevë që gjendet në zonën e Gollakut.
“Unë, nga thellësia e shpirtit, ju kërkoj falje njerëzve që i kam lënduar. Asnjëherë nuk ka qenë mendimi im të ofendoj qytetarët tanë. Ju e dini se nuk jam person që ofendon të tjerët. Qëllimi ishte të ju dal në mbrojtje qytetarëve. Mirëpo, tani, sigurisht që kjo përdoret kundër meje nga kundërshtarët, duke e fryrë dhe duke më demonizuar mua”, ka shkruar Aliu.
Aliu ka shkruar në Facebook se ka reaguar shpejt dhe tani po i bart pasojat.
“Krileva është fshat në Gollak. Në momentin kur e përdori kolegu si ofendim, kisha bindjen se po ofendon qytetarët tanë, të Kosovës. Dhe natyrisht reagova. Mirëpo, duke menduar se po i mbroj qytetarët kosovarë, reagova shpejt dhe tani po i barti pasojat. Mbrëmë flisnim për linqime. E kjo që po ndodhë tani në rrjete sociale ndaj gabimit tim është linqim”, ka shkruar ajo.
Gjatë mbrëmjes së djeshme në këtë emision, Aliu derisa po debatonte me Ardian Kastratin, i cili i tha Aliut se mënyra si ajo diskuton është tendencë për ta barazuar votuesin e PDK-së me një të Kralevës në Serbi, por shtoi se këtë nuk e tolerojnë.
Me këtë rast Aliu reagoi duke thënë se “pse po e ofendon Kralevën”.
Kastrati reagoi duke i thënë se po i ofendon mbi 200 mijë votues të PDK-së, duke i konsideruar si njerëz të barabartë me serbët e Kralevës në Serbi. /Insajderi.com