Lulzim Basha: Zgjedhjet një masakër elektorale

Lulzim Basha: Zgjedhjet një masakër elektorale

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në deklaratën e mbajtur tha se zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ishin “një masakër elektorale” përballë “një regjimi që bëri gjithçka për ta thyer garën”.

“Hymë në betejë jo me kundërshtarë politikë, por me regjim që bëri gjithçka për të thyer garën, dhjetëra mijëra votash të pavlefshme, dy herë më shumë se diferenca mes palëve, miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe të votës, vodhën të dhënat e qytetarëve, përdorën kriminelët duke realizuar masakër elektorale,” u shpreh Basha.

Lulzim Basha tha se PD-ja është bërë më e fortë dhe se nuk do të dorëzohet pasi misioni i PD-së, sipas Bashës, është mbi anëtarët e saj.

“Ne u bëmë më të fortë, ne jemi më të vendosur se kurrë, kushdo që mendon se do të dorëzohemi nuk na njeh mirë. Ne do ta vazhdojmë betejën me gjithë fuqinë tonë për demokracinë. Ne do të vazhdojmë të luftojmë deri në fitore sepse misioni ynë është më i madh se të gjithë ne. Po u dorëzuam ne, Shqipëria s’ka më asnjë mundësi dhe kjo nuk do të ndodhë kurrë”, tha Basha.

Lulzim Basha tha se “PS angazhoi kriminelë për blerjen me miliona euro të votave”, duke përmendur edhe rastin e Tom Doshit.

“Edi Rama ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunoje hapur me përfaqësues të krimit si Tom Doshi që kanë gjithë botën demokratike kundër”, tha kreu i PD-së.

Në fjalimin e tij, Basha nuk saktësoi nëse e njihte humbjen apo jo, mirëpo pranoi se PD ka marrë besimin e mbi 600 mijë qytetarëve.

“Ne do të luftojmë për ju, për qindra mijëra qytetarë që luftuan për ne dhe për ata që nuk u numërua vota. Kjo është përgjegjësia ime që kam përpara jush dhe përpara Shqipërisë”, tha ai./Insajderi.com