Lumezi dhe Peci organet e drejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar

Lumezi dhe Peci organet e drejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, së bashku me Kryetarin e Gjykatës Supreme, Enver Peci, dhe anëtarët e tjerë të delegacionit nga radhët e sistemit të Drejtësisë, si dhe, përfaqësues të Ambasadës amerikane në Kosovë dhe Ambasadës britanike në Kosovë, janë në një vizitë tre ditore në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjatë ditës së djeshme delegacioni kosovar ka pasur takime me Gjykatën më të madhe penale në tërë Mbretërinë e Bashkuar, Old Bailey, ku u shkëmbyen përvojat në lidhje me luftimin efikas të kriminalitetit. Po ashtu, delegacioni kosovar ka vizituar edhe Gjykatën Supreme të Mbretërisë së Bashkuar.

Gjatë ditës së sotme Kryeprokurori Lumezi dhe delegacioni kosovar do të takohen edhe me Këshillin Britanik për Politika Ndëshkimore, ku do të shtjellohen tema në lidhje me zbatimin e udhëzuesve për politika ndëshkimore, si dhe, marrja e përvojave britanike me mundësinë që të njëjtat të gjejnë zbatimin edhe në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Po ashtu, me organizimin e Shoqatës shqiptaro-britanike të Avokatëve, Kryeprokurori Lumezi dhe delegacioni kosovar i drejtësisë, do të marrin pjesë në ligjëratën me temë “E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e sistemit të Drejtësisë në Kosovë”, që do të mbahet në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar.

Vizitën e delegacionit nga radhët e sistemit të Drejtësisë e ka mundësuar Zyra e UNDP-së në Kosovë.