Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në takim me Shefen e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Nushi, kanë biseduar për një bashkëpunim ndaj rasteve të dhunës, njofton Insajderi.
I shoqëruar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, të tre, të mërkurën, 24 mars, në takim kishin diskutim çështje të përbashkëta lidhur me databazën e integruar ndër-institucionale për rastet e dhunës në familje, trajtimi i rasteve të dhunës seksuale dhe viktimave të dhunës seksuale, koordinimi i institucioneve të sundimit të ligjit, krijimi i një mekanizmi për nxjerrjen e raporteve analitike për rastet e dhunës në familje, si dhe thëllimi i bashkëpunimit të ndërsjellë.
Më këtë rast nga përfaqësuesit e UN Women-it u vlerësua lartë aplikimi i databazës për rastet e dhunës në familje nga institucionet e zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
Ata konstatuan se në këtë aspekt vendi ynë është shembull i mirë në rajon dhe më gjerë.
Lumezi, ka cituar faktin se Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar për trajtimin me prioritet të të gjitha rasteve të dhunës në familje dhe dhunës seksuale, si dhe nëpërmjet Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave është duke e ofruar mbrojtën e nevojshme ligjore për të gjitha viktimat që pësojnë nga aktet e dhunës. /Insajderi.com