Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, ka dhënë detaje rreth aksionit policor, për çka thotë se pas përgjimeve kanë marë informacionet e duhura që çuan në pranga tetë zyrtarë policorë, njofton Insajderi.
Lumezi tregoi se të arrestuarit janë gjashtë burra dhe dy gra. Ndërsa, njëri nga të arrestuarit është një zyrtar policor i komunitetit serb.
Kryeprokurori i shtetit bëri të ditur që lidhur me këtë aksion policia është duke hetuar më shumë se një vit.
“Ka kaluar një vit në bashkëpunim me IPK dhe PK, i kemi zbatuar masat e fshehta të hetimit dhe të vëzhgimit dhe në bazë të informacioneve që i kemi marr nga përgjimet kemi ardhur në përfundim që duhet të fillojnë hetimet edhe për disa persona që të vërtetohet përgjegjësia e tyre penale për veprime të cilat i kanë ndërmarrë në mënyrë të kundërligjshme”, ka thënë ai.
Lumezi ka dhënë detaje edhe për akuzat që rëndojnë mbi zyrtarët policorë të arrestuar.
“Këta 8 persona janë të dyshuar për disa vepra penale: ‘Keqpërdorimin dhe autorizimin’, që është e dënueshme nga 1-8 vite burg, ‘Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare’, ‘Ushtrimin e ndikimit’, ‘Lëndim i lehtë trupor, ‘Shitblerjen posedimin e substancave narkotike’”, ka thënë ai.
Lumezi njoftoi se Policia e Kosovës sot ka bastisur edhe pronat e disa prej këtyre zyrtarëve.
“Sot me urdhër të prokurorit janë bastisur disa shtëpi të personave zyrtarë. Gjatë këtyre bastisjeve janë konfiskuar nëntë telefona mobil, një veturë dhe disa dokumente dhe raporte zyrtare që do të na shërbejnë në procedurën e mëvonshme penale”, ka thënë ai. /Insajderi.com