Lumezi: Kemi guxim ta hetojmë Grabovcin  

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka thënë se prokurorët kanë guxim ta hetojnë Adem Grabovcin dhe të gjithë personat tjerë me ndikim. Ai ka garantuar se nëse ka prova, do të ngritet aktakuzë kundër të gjithë atyre që janë të përfshirë në aferën “Pronto”.

Lumezi: Kemi guxim ta hetojmë Grabovcin  

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi numërtonte sukseset e vartësve të tij në luftën kundër krimit. Garantonte pavarësi të plotë prej ndërhyrjeve nga jashtë.

Por, para vetës kishte të ulur Imer Bekën, që publikisht ishte deklaruar kundër nisjes së hetimeve kundër Adem Grabovcit pas publikimit të përgjimeve nga Insajderi.

Beka, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, pos që kishte ndërhyrë në punën e Prokurorisë Speciale, kishte ndërhyrë edhe në pavarësinë e gjyqësorit. E kishte quajtur të gabuar vendimin e Gjykatës që nuk e kishte aprovuar kërkesën e Grabovcit për ndalimin e publikimit të përgjimeve.

Beka, ndodhej të enjten në të njëjtën sallë me kryeprokurorët tjerë të të gjitha prokurorive, teksa shefi i tyre Aleksandër Lumezi prezantonte raportin e punës për vitin 2016.

Me gjithë këtë ndërhyrje që me Kodin e Etikës konsiderohet shkelje, Lumezi ka garantuar se Prokuroria Speciale po kryen hetime të plota dhe të pavarura kundër zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Në këtë hetim, pos Grabovcit janë të përfshirë edhe Zenun Pajaziti, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, ish-ministri i Ekonomisë – Besim Beqaj, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme – Ilhami Gashi, kryetari i Degës së PDK-së në Prizren – Njazi Kryeziun, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale – Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari i ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi – Sedat Gashi dhe ish-shefja e Divizionit Farmaceotik në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

“Prokuroria e Shtetin prej momentit që kam ardhur në krye te këtij institucionit nuk bazohet në asnjë program të subjekteve politike… Kemi dëshmuar edhe me veprime konkrete. Kemi persona që i kemi hetuar dhe akuzuar nga të gjitha subjektet politike pavarësisht fuqisë dhe rolit të tyre në shoqëri”, ka thënë Lumezi.

Lumezi ka thënë se në rastin e njohur si “Pronto”, Prokuroria ka treguar vullnet për të zbardhur këtë rast. Ka rikujtuar se hetimet paraprakisht kishte kryer EULEX-i.

“Ne kemi pasur guximin që të fillojmë hetimet dhe shumë persona që kanë qenë të përfshirë në rastin ‘Pronto’ janë në fazën e hetimeve… Unë besoj  se hetimet do të tregojnë se a ka prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës”, ka thënë ai.

Lumezi i ka dhënë të drejtë Bekës për t’u deklaruar siç i garantohet çdo qytetari të Kosovës me Kushtetutë.

“Por nëse eventualisht gjatë deklarimit të kryeprokurorit është shkelë pavarësia e Institucioneve Gjyqësorë, atëherë Zyra e Prokurorit Disiplinorë mund të fillojë një procedurë dhe të marrë një vendim nëse ka pas apo jo shkelje të kodit të etikës”, ka thënë Lumezi.

Beka ka kërkuar që të flas për këtë çështje. Por, atë nuk e ka lejuar të flas kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Mirëpo, Zyra e Prokurorit Disiplinor nuk është marrë me këtë rast, pasi që Këshilli Prokurorial kishte refuzuar ta dërgonte në këtë zyrë një denoncim të ish-kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi për ndërhyrje në pavarësi të gjyqësorit nga ana e Imer Bekës për ndërhyrje në gjyqësor.

Beka, ishte pozicionuar hapur kundër hetimeve për Grabobvcin.

Në një intervistë për emisionin Komiteti të Gazetës Express, Beka kishte thënë vitin e kaluar se gjykata nuk është dashur që të bie pre e presionit të publikut që kërkonte vazhdimin e publikimit të përgjimeve. Sipas tij, në këtë rast, gjykata ka shkelur dispozitat ligjore.

“Unë kam dëgjuar që është bërë një kërkesë për masë të përkohshme për ndalim. Mua më ka habitë pse gjykata e ka hedhë poshtë atë kërkesë, sepse masat e fshehta përdoren vetëm për raste penale, që i ka procedurë prokurori, gjyqtarët. Atë moment që kryhet ajo punë, ato nuk guxojnë të përdoren absolutisht për asnjë gjë tjetër”, kishte thënë ai.

Beka kishte atakuar edhe Prokurorinë Speciale se pse kishte filluar hetime kundër Grabovcit.

“Nëse një prokuror nuk sheh të arsyeshme me ngrit diçka penale, nuk e di qysh një prokuror tjetër mundet me ngritë. Unë këtë s’e kuptoj”, kishte thënë Beka.

“Ata (Prokuroria Speciale v.j.) duhet me dhanë shpjegim jo unë, sepse unë nuk kam qasje në këto. Mirëpo unë si jurist dhe prokuror e kam vlerësu kështu”.

Ish-kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi kishte thënë se deklarata e Bekës, ishte ndërhyrje në sistem të drejtësisë.

Ndërhyrje të tilla janë të sanksionuara edhe me Kodin e Etikës, të cilat konsiderohen si sjellje e pahijshme dhe shkelje etike, që mund të rezultojnë me masa ndëshkuese deri në shkarkim.

“Askush brenda sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës, si individ, nuk ka të drejtë që të vë në pikëpyetje ligjshmërinë e vendimit të gjykatës”, ka thënë Ibrahimi, për Insajderin./Insajderi.com