Prokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, deklaroi se “lufta ndaj korrupsionit është agjendë shtetërore”.
Këtë ai e tha gjatë konferencës vjetore të Prokurorëve i cili nisi me fjalimin e krye-prokurorit Lumezi, njofton Insajderi.
Ai theksoi se gjatë vitit 2020, Prokurori i Shtetit ka pranuar në punë 43 mijë e 446 kallëzime – lëndë penale, ndërsa ka arritur t’i zgjidhë 49 mijë e 381 sosh.
Vitin 2020 e cilësoi me shumë sfida e vështirësi, por beson se” ishin të aftë të veprojnë në mënyrë adekuate”.
Si njërin ndër “sukseset më të mëdha” përmendi edhe aksionin në Karaçevë, ku u arrestuan dhjetëra persona për vepra të paligjshme. /Insajderi.com
Fjalimi i plotë:
Shkëlqesia Juaj, znj, Vjosa Osmani, U.D. Presidente e Republikës së Kosovës,
Të nderuar kryeprokurorë, prokurorë, punonjës të sistemit prokurorial,
Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike të
akredituara në Republikën e Kosovës,
Të nderuar drejtues të institucioneve vendore,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Është kënaqësi t’iu përshëndes dhe t’iu falënderoj për pjesëmarrjen virtuale në Konferencën Vjetore të Prokurorëve të Shtetit, e cila këtë vit po zhvillohet në mënyrë jo të zakonshme për shkak të situatës me Covid-19. Ashtu sikurse në vitet e kaluara, edhe periudha e fundit dymbëdhjetë mujore ishte përplot me sfida dhe vështirësi. Për fat të keq, ne humbëm edhe (3) kolegë prokurorë, të cilët me zell, përkushtim, profesionalizëm dhe integritet i shërbyen institucionit të Prokurorit të Shtetit, duke na lënë një dhimbje dhe zbrazëti të madhe brenda sistemit tonë. Megjithatë, nga numri i madh i sfidave dhe vështirësive nëpër të cilat kemi kaluar, është thelbësor fakti që kemi treguar se jemi të gatshëm dhe të aftë të veprojmë në mënyrë adekuate, duke iu përgjigjur me sukses nevojave të kohës, ku edhe përkundër rrethanave të shkaktuara nga pandemia Covid-19, puna e Prokurorit të Shtetit nuk u ndalua për asnjë moment, duke i kryer kështu me përgjegjshmëri detyrat institucionale të përcaktuara me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi.
Për ta dëshmuar këtë, theksoj faktin se gjatë vitit 2020, Prokurori i Shtetit ka pranuar në punë 43 mijë e 446 kallëzime – lëndë penale, ndërsa ka arritur t’i zgjidhë 49 mijë e 381 lëndë penale. Respektivisht, janë zgjidhur edhe 5 mijë e 935 kallëzime – lëndë penale të bartura nga vitet paraprake. Bazuar në indikatorët e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ), numri i lëndëve të zgjidhura në raport me numrin e lëndëve të pranuara gjatë kësaj periudhe, rezulton që norma e zgjidhjes së lëndëve nga Prokurori i Shtetit është 113,66%. Edhe gjatë vitit që e lamë pas, ne kemi qenë unikë, duke treguar forcën tonë që e përbëjmë të gjithë së bashku si Prokurori e Shtetit, si dhe kemi dëshmuar vendosmëri për t’u përballur me çdo formë të krimit dhe në këtë rrugë nuk do të na ndalë askush, sepse ky është interesi i shtetit dhe ne veprojmë në emër të shtetit.
Sipas urdhrave të Prokurorisë janë ndërmarrë masa dhe veprime, të cilat kanë rezultuar me zbardhjen e veprave penale më të rënda, ndërsa janë privuar nga liria dhe janë proceduar shumë pjesëtarë të grupeve kriminale. Në këtë mënyrë, kemi dërguar porosi të qarta te të gjithë se askush nuk mund të vihet mbi institucionet e shtetit. Shoqëria me të drejtë është duke pritur nga prokurorët që nëpërmjet hetimeve të mirëfillta dhe të paanshme të kontribuojnë në pastrimin e shtetit, politikës dhe institucioneve nga korrupsioni, nepotizmi, abuzimi dhe çdo formë tjetër e krimit që i cenon marrëdhëniet juridike-shoqërore. Prandaj është e nevojshme të forcohet edhe më shumë vetëdija e prokurorëve të shtetit për domosdoshmërinë e rritjes së efikasitetit dhe vendosmërisë në ndjekjen, zbulimin dhe ndëshkimin e këtyre rasteve. Për trajtimin e lëndëve të korrupsionit të nivelit të lartë, kemi nevojë për njerëz profesionistë, të guximshëm, me integritet dhe të trajnuar, që sigurisht ekzistojnë brenda sistemit prokurorial.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është agjendë shtetërore e Republikës së Kosovës dhe një element shumë i rëndësishëm në rrugën integruese të shtetit tonë në familjen e madhe evropiane. Në këtë drejtim kemi shënjestruar edhe tetë (8) raste të reja që kanë të bëjnë me korrupsionin e nivelit të lartë, krimin e organizuar dhe krimet e tjera të rënda, duke e dërguar në 69 numrin e rasteve të shenjëstruara. Gjatë vitit të kaluar janë ngritur aktakuza të ndryshme për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ku në mesin e të akuzuarve ka edhe ish-ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjyqtarë, policë dhe zyrtarë të tjerë shtetëror, me ç’rast kemi dëshmuar se askush nuk është i paprekshëm për Prokurorin e Shtetit dhe se do të vihen para drejtësisë të gjithë ata persona që kanë rënë ndesh më ligjin, pavarësisht statusit të tyre në shoqëri apo funksionit që ushtrojnë.
Me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit dhe avancimit të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe konfiskimit të pasurive të fituara jashtëligjshëm, me mbështetjen e UNDP-së në Kosovë, si Kryeprokuror i Shtetit, kam nënshkruar Memorandum të Bashkëpunimit me Institutin e Bazelit, i cili do t’i ndihmojë Prokurorisë në gjurmimin dhe identifikimin e aseteve të fituara në mënyrë të kundërligjshme të shtetasve kosovarë, asete këto, të cilat gjenden jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës, kemi nënshkruar memorandum ndërinstitucional, me anë të të cilit synohet intensifikimi i bashkëpunimit në shkëmbimin e informacioneve dhe evidentimin e rasteve kur ka mospërputhje në mes të hyrave dhe shpenzimeve të personave fizikë dhe atyre juridikë që veprojnë në Kosovë, të cilët dyshohen që kanë kryer vepër penale dhe kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme. Jemi të vetëdijshëm se vetëm dënimi me burg i kryesve të veprave penale nuk e lëvizë seriozisht luftën kundër korrupsionit, por krahas tyre duhet të nxirren edhe sanksione plotësuese për ndalimin e ushtrimit të detyrës zyrtare, por edhe vendime për konfiskimin e përhershëm të pasurisë së fituar me vepër penale. Çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit qëndron në marrjen e fuqisë ekonomike dhe pasurisë së paligjshme të individëve dhe grupeve kriminale. Në këtë drejtim, roli i prokurorëve duhet të bëhet më proaktivë. Rëndësi të madhe i kemi kushtuar edhe luftimit të krimit të organizuar. Gjatë vitit të kaluar, Prokurori i Shtetit ka zgjidhur shtatë (7) raste me 34 persona, nga gjithsejtë (8) raste sa i ka pranuar në punë.
Falë një hetimi të gjatë të udhëhequr nga Prokurori i Shtetit dhe një bashkëpunimi të ngushtë me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, si me Policinë dhe Inspektoratin Policor, në shtator të vitit 2020 është zhvilluar një operacion i madh në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, ku me urdhër të prokurorisë u shkatërrua një vatër e madhe e krimit të organizuar, me ç’rast janë arrestuar dhjetëra persona në mesin e tyre edhe zyrtarë policorë, si dhe janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të gjërave me vlerë.
Të nderuar, Jemi të vetëdijshëm se rreziqet bashkëkohore të drejtësisë dhe sigurisë nuk mund të zgjidhen nga një shtet i vetëm, prandaj kemi rritur bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtarë në luftimin e krimeve transnacionale. Ne tashmë kemi bërë progresin e duhur institucional dhe shtetëror edhe në luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Kjo dëshmohet edhe nga raportet me kredibile ndërkombëtare, ku së fundmi, sipas Indeksit Global të Terrorizmit, Republika e Kosovës është renditur në vendin e 135-të, si një ndër vendet më të sigurta në botë, ku ndikimi i terrorizmit është minimal. Në këtë drejtim, dëshiroj të falënderoj SHBA-të, për ndihmën e dhënë në forma të ndryshme për institucionin e Prokurorit të Shtetit, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për
Republikën e Kosovës, në luftë kundër terrorizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ne do të vazhdojmë të jemi partnerë besnikë të tyre dhe vendeve të tjera perëndimore në luftë kundër terrorizmit dhe krimeve të tjera që cenojnë vlerat demokratike të shoqërive tona. Vëmendje të posaçme iu kemi kushtuar edhe kërkesave që kanë ardhur nga shtetet e tjera për ndihmë juridike ndërkombëtare. Në këtë fushë janë zgjidhur 342 kërkesa dhe janë ndërmarrë veprime hetimore sipas kërkesave të shteteve të huaja. Lidhur me trajtimin e krimeve të luftës, dëshiroj të nënvizoj faktin se janë bërë hapa pozitivë në fuqizimin e Departamentit të Krimeve të Luftës, i cili funksionon në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ku krahas strategjisë për trajtimin e krimeve të luftës, është caktuar edhe një prokuror i ri në këtë departament, duke e çuar në katër (4) numrin e prokurorëve që merren ekskluzivisht me këto raste. Mirëpo, për të pasur sukses më të madh, është thelbësore të kemi mbështetje të gjerë institucionale në ngritjen e resurseve për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, të përmirësohet legjislacioni që lehtëson ndjekjen, hetimin dhe gjykimin në mungesë, si dhe të rregullohet çështja e ekstradimit të të dyshuarve me shtetet që nuk e njohin Republikën e Kosovës, veçmas me Serbinë, e cila akoma nuk i dorëzon shtetasit e vet, ashtu që kryerësit e këtyre veprave penale po bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë në Kosovë.
Dëshiroj të theksoj faktin se, në dhjetor të vitit 2020, Prokuror i Shtetit ka marrë mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për trajtimin e krimeve të luftës dhe jam optimist që së shpejti do të tregojmë rezultate në këtë drejtim. Në anën tjetër, mbrojtja e viktimave të krimit ka qenë prioritet i përkushtimit tonë institucional, ku shërbimet ndaj tyre nuk pushuan për asnjë moment as gjatë ballafaqimit me pandeminë Covid-19.
Në vitin 2020, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka ofruar ndihmë për 1687 raste të viktimave të të gjitha kategorive. Prej tyre, 1542 kanë qenë viktima të dhunës në familje, 10 raste të trafikimit të qenieve njerëzore. Po ashtu është vërejtur një shtim i rasteve të dhunimeve dhe ngacmimeve seksuale, ku gjatë kësaj kohe janë shënuar 34 raste të dhunimeve dhe 60 raste të tjera të ngacmimeve seksuale. Shpresojmë se me plotësimndryshimin e Ligjit për kompensimin e viktimave të krimit, do të mund të krijohet qasje më e lehtë në realizimin e të drejtës për kompensim për të gjitha viktimat, pa pasur nevojë të pritet deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Të nderuar, Në fund të vitit të kaluar kemi zgjedhur Kryeprokurorin e ri të Prokurorisë së Apelit dhe gjashtë (6) kryeprokurorët e prokurorive themelore të Republikës së Kosovës. Kryeprokurorëve të rinj dua t’ju them se që nga marrja e këtyre detyrave iu presin sfida të vështira. Koha nëpër të cilën po kalojmë e vërteton këtë. Përgjegjësia juaj është të tregoni se jeni të gatshëm t’i drejtoni këto prokurori dhe se vendimet që do t’i merrni do të jenë të drejta, profesionale dhe ekskluzivisht në përputhje me normat kushtetuese dhe dispozitat ligjore. Dua të besoj se të gjithë jeni të gatshëm ta mbroni nderin e institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe pres që ta vërtetoni këtë me veprimet tuaja. Në punën dhe udhëheqjen tuaj do ta keni përkrahjen time dhe të sistemit prokurorial në organizimin dhe funksionimin sa më të mirë të këtyre prokurorive. Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se besimi, sinqeriteti dhe komunikimi në mes të prokurorëve, kryeprokurorëve dhe Kryeprokurorit të Shtetit duhet të forcohet, në mënyrë që të ngritët performanca, autoriteti dhe prestigji i institucionit të Prokurorit të Shtetit.
Gjatë vitit që lamë pas, më qëllim të riorganizimit, rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit të Prokurorisë Speciale, krahas Departamentit për Krime të Luftës, i cili ishte themeluar në vitin 2015, në këtë prokurori janë themeluar edhe tri departamente të reja: ai për Krim të Organizuar dhe Krime të Tjera në Kompetencë të PSRK-së, Departamenti për Terrorizëm, dhe Departamenti për Korrupsion dhe Krim Financiar. Në këto departamente janë ndarë dhe profilizuar edhe prokurorët përkatës dhe kjo do të ndikojë drejtpërsëdrejti në ngritjen e përformancës së kësaj prokurorie, juridiksioni i së cilës shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës në hetimin dhe ndjekjen e krimeve më të rënda.
Po ashtu, tashmë në Prokurorinë Speciale janë emëruar edhe katër (4) prokurorë të rinj dhe jam i bindur se energjia, guximi, integriteti dhe profesionalizmi i këtyre prokurorëve do të sjellë rezultate të mira veçmas në trajtimin e lëndëve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimeve të tjera që janë në kompetencë të kësaj prokurorie. Ndërkaq, më qëllim të avancimit të transparencës, Prokurori i Shtetit, me qasje objektive dhe të paanshme, ka qenë i hapur për të komunikuar dhe bashkëpunuar me mediat dhe shoqërinë civile, duke e ruajtur gjithnjë ekuilibrin e duhur në mes të integritetit të hetimeve dhe procedurës penale, në njërën anë, si dhe interesit të publikut për të marrë informacione, në anën tjetër. Ne do të vazhdojmë ta rrisim këtë bashkëpunim brenda standardeve profesionale, sepse mediat dhe shoqërinë civile i konsiderojmë partnerë të fuqishëm në luftën kundër të gjitha fenomeneve kriminale që ndodhin në shoqërinë tonë. Në mënyrë të qartë, gjatë vitit 2020, kemi demonstruar vendosmërinë institucionale për të përmirësuar sistemin e drejtësisë në vendin tonë.
Institucioni i Prokurorit të Shtetit ka kontribuar në mënyrë aktive edhe në grupet punuese të Rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit dhe hartimin e Konceptdokumentit lidhur me modalitetet e llogaridhënies në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Më këtë rast dëshiroj të them se cilatdo qofshin motivet që e shtyjnë Republikën e Kosovës që të marrë iniciativa për reforma në drejtësi, udhëheqës dhe rregullator i këtyre reformave duhet të jenë vetë njerëzit e sistemit të drejtësisë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, në veçanti me Ambasadën Amerikane, atë të Britanisë së Madhe, Zyrën e BE-së, ambasadat e tjera të vendeve perëndimore dhe me shoqërinë civile.
Kjo reformë apo vetting në sistemin gjyqësor duhet të përqendrohet në fuqizimin e komisioneve, të cilat funksionojnë brenda Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor, duke e ngritur kështu llogaridhënien, transparencën dhe profesionalizmin e bartëseve të funksioneve prokuroriale dhe gjyqësore. Konsolidimi i pushtetit gjyqësor nuk varet vetëm nga reformat ligjore, por edhe nga vullneti i mirë për të qenë të drejtë, që nënkupton qëndrueshmëri në zbatimin e ligjit dhe integritet të lartë moral e profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Këto veçori duhet të jenë standarde të një sistemi vlerash, të cilin po synojmë ta forcojmë. Në fund, dëshiroj të them se brenda sistemit të drejtësisë ende ekzistojnë vështirësi dhe sfida, të cilat nuk duhet t’i shohim si pengesa. Përkundrazi, zgjidhjen e tyre jemi duke e parë si një objektiv që duhet realizuar sa më shpejtë në të ardhmen.
Besoj fuqishëm se në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë do ta forcojmë sundimin e ligjit dhe institucionet e pavarura të drejtësisë, të cilat promovojnë paanshmëri, transparencë dhe llogaridhënie, që janë atribute thelbësore për përparimin e shtetit tonë. Nga ju, kolegë të nderuar, pres që këtë vit të tregoni përkushtim më të madh, profesionalizëm, integritet dhe përgjegjësi në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore, në mënyrë që ta forcojmë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Ju uroj punë të mbarë dhe suksese në vitin që sapo kemi filluar!
Aleksandër Lumezi
Kryeprokurori i Shtetit. /