Lushtaku: Asnjëherë s’jam arratisur nga QKUK, e kam njoftuar familjen se i gjallë nuk shkoj në Burgun e Mitrovicës

Lushtaku: Asnjëherë s’jam arratisur nga QKUK, e kam njoftuar familjen se i gjallë nuk shkoj në Burgun e Mitrovicës

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, në gjykimin ndaj tij dhe të tjerëve, ka deklaruar se ai asnjëherë nuk ishte arratisur nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK).

Në rastin e arratisjes, përveç Sami Lushtakut, po akuzohen edhe djali i tij, Mërgim Lushtaku, si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena.

Sipas aktakuzës, arratisja e ish-kryetarit të Skenderajt nga QKUK-ja, kishte ndodhur në maj të vitit 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ai ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, për pjesën tjetër të aktakuzës që nuk ka të bëjë me arratisje, por me veprat penale “pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare”, “frikësimi gjatë procedurës penale”, “pjesëmarrja në grup të organizuar kriminal”, po akuzohen Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Mbrojtësi i tij, avokati Artan Qerkini, para fillimit të dhënies së mbrojtjes nga ana e të akuzuarit Lushtaku, ka deklaruar se ishin marrë vesh që të përgjigjen vetëm në pyetjet nga dispozitivi 4 i aktakuzës që ka të bëjë me arratisjen nga QKUK.

Sipas tij, i akuzuari Lushtaku kishte vendosur të mbrohet në heshtje për dispozitivet 9 dhe 10, të cilët kanë të bëjë me arratisjen e tij nga Qendra e Paraburgimit të Dubravës, dhe qëndrimin e tij në shtëpinë në lagjen “Arbëria”, duke mos iu bindur vendimit përfundimtar të gjykatës.

Vet i akuzuari Lushtaku tha se kishte qenë i paraburgosur në rastin e njohur si Drenica 1, në Qendrën e Paraburgimit në Dubravë, por ka thënë se asnjëherë nuk kishte qenë i dënuar nga për shkak të sjelljeve të tij dhe se as nuk kishte qenë i rrezikuar nga të burgosurit tjerë.

“Kam qenë i dënuar me 20 vite burgim nga ish regjimi i Millosheviqit”, ka thënë Lushtaku.

I pyetur nga mbrojtësi i tij, avokati Artan Qerkini se a do të ishte ndjerë i rrezikuar nëse ai do të transferohej në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, Lushtaku ka deklaruar se nuk do të pranonte transferimin e tij atje.

“As dje dhe sot kurrë nuk kisha pranu që të shkoj në burgun e Mitrovicës, jo pse e kam frikë vdekjen sepse asnjëherë deri me tani së paku nuk jam frikuar por friken e kam pasur që dikush apo policia, gardianët, njësitë speciale mund të luajnë me dinjitetin tim, nuk lejoj që kërkuan të luaj me dinjitet timin dhe frika ka qenë që pas dënimit që kam pasur më herët, mundësitë në Mitrovicë kanë qenë të dukshme që mujn mem transferu në burgjet e Serbisë”, ka thënë ai.

Ai tha se derisa kishte qëndruar në QKUK, kishte pasur gardian, por ka thënë se nuk e din numrin e tyre e as emrin e gardianit që e kishte mbikëqyrur.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Shashivar Hoti se kur ishte informuar ai se do të transferohej në Burgun e Mitrovicës, i akuzuari Lushtaku ka thënë se ishte njoftuar përmes mbrojtësit të tij.

“Nuk e di kohën, por jam informuar prej avokatit tim, dhe unë asnjëherë nuk jam arratisur nga spitali, unë nuk kam desht me shku në Mitrovicën e Veriut kjo është e tëra, asnjëherë nuk e kam lëshuar spitalin”, ka thënë ai.

Ai tha se përmes avokatit të tij e kishte njoftuar familjen “se i gjallë nuk shkoj në Mitrovicë”.

“Ia kam bërë të qartë edhe familjes që i gjallë nuk shkoj në Mitrovicë, unë kam qëndru brenda në spital dhe asnjëherë nuk e kam lëshuar spital, kam qëndruar në repartin e zemrës ku e kam pasur dhomën, kam qëndruar në një dhomë tjetër”, ka thënë në fund i akuzuari Lushtaku.

Të akuzuarit Sahit Jasharit, Ismet Haxha, Dardan Geci, Valon Behramaj, Argjent Behramaj kanë shfrytëzuar të drejtën për tu mbrojtur në heshtje.

Ndërsa, të akuzuarin Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Ylber Blakaj, Bashkim Dervisholli dhe Mërgim Lushtaku gjatë dhënies së mbrojtjes kanë mohuar në tërësi aktakuzën.

Ndryshe, për këtë rast, bashkëshortja e Lushtakut, Mirvete Hasani Lushtaku, më 4 dhjetor 2019, është dënuar me gjashtë muaj burgim, pasi që ishte aprovuar marrëveshja për pranimin e fajësisë, pas së cilës edhe ishte veçuar procedura ndaj saj.

Por, ky dënim, me pëlqimin e të akuzuarës është zëvendësuar me gjobë, në shumë prej 3500 euro, të cilën nëse nuk e paguan, dënimi do t’i shndërrohet me burg.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill të vitit 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, në korrik 2018, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë kishte vepruar drejt kur i kishte refuzuar këto kërkesa, pasi nuk ishin paraqitur asnjëra nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të  Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Në seancën e mbajtur më 6 dhjetor 2017, Sami Lushtaku dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Para kësaj, disa herë me radhë kishin dështuar të mbaheshin seancat, me ç’rast prokurori i EULEX-it, Romule Mateus kishte deklaruar se kjo është fyerje për drejtësinë.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “arratisje e personit të privuar nga liria”, “pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.

Për arratisjen nga QKUK, akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.

Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzohen për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.

Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzohen për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzohen për veprën penale pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje.

Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzohen edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria.

Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, akuzohen për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.