Lushtaku do të ankohet edhe në Gjykatën e Kushtetuese për kandidaturën e tij

Lushtaku do të ankohet edhe në Gjykatën e Kushtetuese për kandidaturën e tij

Pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe Gjykata Supreme ia mohuan Sami Lushtakut kandidaturën për kryetar të Skenderajt –  ky i fundit do të ankohet edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Kështu ka mësuar Shqip.com. Lushtaku nuk do të përfundojë me Gjykatën Supreme, por do të vazhdojë procedurën deri te Kushtetuesja.

Gjykata Supreme e Kosovës i ka vërtetuar dënimin për arratisjen nga “Burgu i Dubravës” ish kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut.

Ai ishte gjetur fajtor për arratisjen e 21 gushtit dhe 22 shtatorit të vitit 2015 nga Burgu i Dubravës, gjatë kohës kur po mbante dënimin prej 12 viteve për “krime lufte” në rastin “Drenica”.

Pikërisht, kjo dispozitë ligjore ka fuqi që nga verdikti që Gjykata Kushtetuese nxori në dhjetorin e vitit 2020, ku personave që iu është konfirmuar dënimi në tri vitet e fundit nuk kanë të drejtë të kandidojnë.

Vendimi e kishte rrëzuar Qeverinë Hoti, si dhe ia kishte pamundësuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, garimin në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Por, nuk i kishte dalë pengesë që ta marrë timonin e ekzekutivit kosovar në mars po të këtij viti.

Mbi këtë, Lushtaku ka  akuzuar Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin “që po e pengojnë kandidaturën e tij”, pasi beson se ka “standarde të dyfishta”.

Sami Lushtaku ishte kryetar i Skenderajt deri më vitin 2017, ku Partia Demokratike e Kosovës kishte vendosur të mos garonte në zgjedhe – për ta mbështetur Bekim Jasharin, i cili që nga ajo kohë është kryetar.

Por, ndërmjet asaj periudhe dhe aktuales kanë ndodhur “përplasje në distancë”, ndërmjet Jasharit e Lushtakut.

Jashari pretendonte se “Lushtaku s’ka qëndruar në vijat e para të frontit”, ndërsa ky i fundit kandidatin për kryetar të Skenderajt e quan ‘Bekim’, duke ia shmangur mbiemrin.

Zgjedhjet e 17 tetorit besoheshin të ishin sfidë që do ta ballafaqonin Lushtakun e Jasharin, deri kur kandidatura e këtij të fundit u kontestua, më pas u mohua nga të gjitha instancat ligjore.

Tash shpresën e fundit Lushtaku e ka te Gjykata Kushtetuese për të garuar në zgjedhjet lokale.

Fadil Nura do të jetë kandidati I PDK-së në rast se Lushtakut përfundimisht i pamundësohet sprovimi në votime. /Insajderi.com