Lushtaku fton Limajn në PDK: Shkrije NISMA-n

Lushtaku fton Limajn në PDK: Shkrije NISMA-n

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtaku, ka kërkuar nga Fatmir Limaj që NISMA të “shkrihet” në PDK.

Lushtaku ka pranuar se është “i vetmi” që e dëshiron NISMA-në koalicion, njofton Insajderi.

Është raportuar se shumë funksionarë të partisë e cila drejtohet nga Enver Hoxhaj janë kundër një bashkëpunimi me partinë e Limajt.

“Unë jam një i vetmi në parti që e kam dëshirën që Limaj të jetë pjesë e PDK-së. Jam deri në skaj në idenë që PDK-ja të shkojë me Nismën në koalicion. Fatmirin e kam shok dhe e respektoj shumë. Kërkesa ime ishte që të mos ketë Nismë fare, që Limaj të vijë në PDK, por nuk e di nëse do të realizohet. Kam pasur kontakte dhe do kem përsëri me Limajn për këtë temë”, ka thënë Lushtaku për Indeksonline.

Lushtaku tregoi se nuk do të kandidojë për deputet në këto zgjedhje, por tha se djali i tij, Mergimi,  kandidon.

Ai shtoi se dëshiron ta shoh Albin Kurtin në listën e Vetëvendosjes për deputet, pasi është diskutabile nëse liderit të LVV-së i lejohet përfshirja në lista zgjedhore pas vendimit të fundit nga Gjykata Kushtetuese.

“Kisha pas qef Albini me kandidu. Më vjen keq nëse ndodh moskandidimi i tij. Kam qef me pa Albinin”, tha Lushtaku. /Insajderi.com