Lushtaku: “Gjykimi i Thaçit e Veselit në Hagë motivoi pjesëmarrësit e UÇK-së t’na ndihmojnë në zgjedhje – kjo vërehet nëpër oda”

Lushtaku: “Gjykimi i Thaçit e Veselit në Hagë motivoi pjesëmarrësit e UÇK-së t’na ndihmojnë në zgjedhje – kjo vërehet nëpër oda”

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtaku, beson se gjykimi i Hashim Thaçit e Kadri Veselit nga Dhomat e Specializuara, ka motivuar pjesëmarrësit e trashëgimtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ta ndihmojnë Partinë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Lushtaku tha se këtë e ka vërejtur nga tubimet elektorale nëpër oda.

Për Gazetën Online Insajderi, Lushtaku u shpreh se pjesëtarët e UÇK-së nuk janë “përkatësi e dikujt”.

“Ushtarët e UÇK-së nuk janë të këtij apo atij, janë të të gjithë Kosovës”, tha ai.

Enkas për këtë kategori të shoqërisë, Fatmir Limaj, po e zhvillon fushatën zgjedhore.

Me sloganin “Çlirimtarët” ai garon në zgjedhjet e 14-shkurtit.

Limaj ka deklaruar se “do t’i mbrojë vlerat kombëtare” në Kuvendin e Kosovës.

Lidhjen në mes odës dhe narracionit “patriotik”, e ndërlidhë edhe sociologu, Labinot Kunushevci, kur i referohet odave si institucion historik te shqiptarët.

“Oda ka qenë më shumë formë ceremoniale, folk-patriotike”, thotë ai.

“Front patriotik” do ta konsideronte Fatmir Limaj një koalicion të mundshëm PDK-NISMA, i cili nuk ndodhi. Tashmë partitë të njohura si “krahu i luftës” zhvillojnë takime nëpër oda të ndryshme, por diskursi nuk ndryshon – Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Aty lidhet emocioni me votën e vota me mbështetjen.

Zafir Berisha i NISMA-s Socialdemokrate, thotë se me bashkë-luftëtarët kujtojnë “kohët emocionale e të vështira”.

“Ne jemi duke i takuar miqtë, bashkëluftëtarët dhe veprimtarët e ilegales që kemi nda fatin e jetës në kohët më të vështira pa dallime partiake! Këto zgjedhje më shumë se për parti politike janë për Kosovën e cila gjendet në udhëkryq”, i tha Berisha Insajderi-t.

Në takime të sojit të njëjtë është parë edhe Haxhi Shala i njohur si ‘komandant Topi’, tashmë pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai nuk pranoi të prononcohet për këtë temë, por takimet i tij nëpër oda janë gati të përnatshme.

Pos PAN-it në organizime të tilla janë të përfshira edhe Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës.

Njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani, tha për Insajderi-n se partitë të njohura si “krahu i luftës”, kanë qasje më shumë në këto takime.

“Në fushatë zgjedhore çdo cep i Kosovës është i rëndësishëm dhe politikanët do të mundohen ta kapitalizojnë maksimalisht. Në zonat rurale normalisht partitë e dala nga krahu i luftës kanë më shumë qasje sepse çiftelia e pushka janë të lidhura ngushtë me odën”, tha Ramadani.

“Pushkën” të cilën e përmendi Ramadani edhe gjatë kësaj fushate zgjedhore është parë duke u përdorur, ndoshta nga prizmi i Glauk Konjufcës “më profesionalisht” sesa e shtëna e Dardan Gashit, pikërisht në një odë të Malishevës gjatë vitit 2018.

Një ambient i tillë burrash nuk është praktikë e duhur demokratike sipas Luljeta Demolli nga “Qendra Kosovare për Studime Gjinore”.

Ajo i tha Insajderi-t se kjo formë organizimi është patriarkale e që nuk ka të bëjë fare me gratë.

Beson se nga praktika “kanë hasur raste kur grave i është imponuar vota”.

Të kundërtën e mendon, Sami Lushtaku, i cili thotë se “shoqëria civile këtu e ka gabim”.

“Më shumë sot kanë ndikim gratë te burrat sesa burrat te gratë”, deklaroi Lushtaku.

Përpos potencialit për imponim votash, Demolli probleme sheh edhe nga ana operative sesi organizohen takimet nëpër oda.

Konsideron se pos imponimit gratë detyrohen të përgatisin ushqim për shumë njerëz që grumbullohen të dëgjojnë fjalime e premtime.

“Gratë duhet të përgatisin në këtë ftoftë e kohë pandemie, nuk duhet jetë kjo afërsi në mes politikanëve dhe votuesve”.

Demolli nuk ka qëndruar “duarkryq”. Tha se ka kërkuar nga Valdete Daka e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që këto ngjarje të mos lejohen të bëhen publike”.

Përpos saj që odën e cilëson si “provinciale”, sociologu Kunushevci edhe votën në fjalë e mendon si të tillë, tha se ka shkaktuar edhe “pasoja”.

“Vota në odat e rajoneve në Kosovë më shumë është votë provinciale. Oda si tip i organizimeve shoqërore tradicionalisht i ka luajtur disa role që kanë prodhuar diskurse të ndryshme, me efektet dhe pasojat e saj”.

Megjithatë, “ndikimi i tyre po bie”, beson Ramadani, duke përmendur një shkak që po ndikon në këtë pretendim të tij: Media.

“Kemi parë gjithnjë e më shumë që në media dhe debatet publike ngjarjet e tilla portretizohen si arkaike dhe primitive. Ato zakonisht bëhen lajm vetëm për shkak të të shtënave me armë dhe mungesës totale të grave. Kjo trysni do të ndikojë që kjo traditë të luajë gjithnjë e rol më të vogël në kulturën politike kosovare. Kështu bazeni i votave në oda do të jetë gjithnjë e më i varfër”.

Por, Beteja për votat e odave vazhdon….