Lushtaku: Kemi vendosur – nuk ia ndalim mandatin Gjykatës Speciale

Lushtaku: Kemi vendosur – nuk ia ndalim mandatin Gjykatës Speciale

Deputeti nga radhët Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka thënë se janë në pritje të vendimit për konfirmim ose refuzimin e aktakuzave nga ana e Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

“Nuk përzihemi në çështjet e Drejtësisë. Jemi në pritje të vendimit. E shohim se cili do të jetë vendimi i tyre, nuk do të paragjykojmë. Në besojmë në pafajësinë e tyre, lufta ka qenë e drejtë, e pastër, luftë për mbijetesë”, ka thënë Lushtaku në Klan Kosova, transmeton Insajderi.

Lushtaku, ka thënë që ata si PDK, kanë vendosur që të mos ndikojnë në punën e kësaj gjykate, duke u distancuar nga përpjekjet për zhbërjen e saj.

“Ka pas një tendencë, por në fund jemi pajtuar që nuk do të ndalohet mandati i Speciales. Besojmë në pafajësinë e UÇK-së dhe qytetarët e dinë se Kosova ka qenë viktimë në luftën 1998-1999 dhe që Serbia ka qenë agresori. Partitë kosovare kanë mundur ta luajnë këtë rol dhe Serbia po viktimizohet”, ka shtuar Lushaku./Insajderi.com.