Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, ka kritikuar ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për marrjen e “vendimeve të paligjshme”.
Kjo pas vendimit që letërnjoftimet e skaduara të vlejnë edhe për gjashtë muaj.
“Vazhdimi i vlefshmërisë së letërnjoftimeve të skaduara, duhet të shfuqizohet sa më parë, në mënyrë që të evitohen pasojat e pariparueshme që shkaktohen përgjatë krijimit, ndryshimit apo shuarjes së marrëdhënieve juridike që qytetarët i vendosin mbi bazën e letërnjoftimeve të skaduara”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.
Ai shtoi se ligjet nuk mund të interpretohen sipas dëshirës.
“Fakti se ky ligj përcakton gjoba për shkak të pavlefshmërisë së letërnjoftimit, konfirmon rëndësinë e mos lejimit të situatave në dëm të qytetarëve dhe institucioneve ligj-zbatuese, sepse siguria juridike është edhe parimi, e edhe qëllimi i ligjeve që duhet zbatuar, e jo interpretuar sipas dëshirës e për qëllime politike”, ka shkruar Lushtaku në një postim në Facebook.
Çështja e letërnjoftimit është e rregulluar me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës. /Inajderi.com