Lutfi Haziri shpërfilli rekomandimet e qeverisë, iu bashkua “ndejës private” në restorantin luksoz

Lutfi Haziri shpërfilli rekomandimet e qeverisë, iu bashkua “ndejës private” në restorantin luksoz

Të premtën vonë, rreth orës 21:00, Qeveria e Kosovës po aprovonte masa shtesë për parandalimin e epidemisë COVID-19, teksa në të njëjtën kohë Muhamet Sejdiu, këngëtar 54-vjeçar nga Gjakova, po performonte brenda një salle hoteli në Gjilan.

Dhjetëra njerëz po argëtoheshin me muzikë live në ambientet e hotelit/restorantit “Astoria Luxury”, një nga hotelet më të shtrenjta të Gjilanit, duke i shpërfillur rekomandimet që qeveria po i aprovonte kundër koronavirusit në mbledhjen e jashtëzakonshme në Prishtinë. Dy raste pozitive me këtë virus u konfirmuan po të premten pasdite.

Të pranishmit nuk ishin në dijeni që Muhamet Sejdiu, këngëtari që ndodhej para tyre, gjatë fillimit të javës së kaluar kishte kryer analizat mbi dyshimet për infektim nga koronavirusi. 54-vjeçari ishte rikthyer nga Gjermania të hënën e 9 marsit.

Por, ata nuk po e përfillnin as rekomandimin e Qeverisë së Kosovës, i cili u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që “t’u shmangen ambienteve të frekuentuara me njerëz”. Zyrtarët e restorantit nuk po e përfillnin vendimin e sapo marrë të qeverisë për t’i dhënë fund aktivitetit të tyre.

Ndeja kishte vazhduar edhe pasi kah fundi i ndejës kishte mbërritur kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, përgjegjësi kryesor për zbatimin e vendimeve dhe rekomandimeve të qeverisë brenda komunës.

“Nuk është mbajtur [ndeja] në ambiente të restorantit”, i ka thënë të mërkurën Haziri, Insajderit. “Ka qenë ndejë e mbyllur, në të cilën kanë qenë familjarë të familjes H. dhe është organizuar nga familja H.. Unë aty kam shkuar vonë, vetëm për ta nderuar familjen”.


Lutfi Haziri në ahengun e mbajtur të premten në “Astoria”

Haziri i ka thënë përmes telefonit Gazetës Insajderi se ndeja ishte private dhe se, si e tillë, “nuk klasifikohet” tek veprimtaritë e ndaluara sipas vendimit të qeverisë.

“Sepse [ndeja, v.j] nuk është mbajtur në asnjë sallë restorantesh, por në një objekt”, ka deklaruar Haziri, ndonëse pamjet e publikuara në mediat elektronike të martën në mbrëmje shfaqin kreun e Gjilanit të ulur rreth një tryeze me pije e ushqim. Në prapvijë shihet edhe emri i restorantit: “Astoria Luxury”.

Katër ditë pas kësaj ndeje, të martën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë (IKShPK) konfirmoi se Muhamet Sejdiu dhe bashkëshortja e tij, 49-vjeç, mostrat e të cilëve ishin marrë gjatë periudhës 8-17 mars, kanë rezultuar pozitiv me virusin korona.

Si pasojë, pesë ditë pas ndejës kryetari Haziri ka filluar të ndërmarrë masa për veten dhe qytetarët e komunës. Është vetë-izoluar dhe i është nënshtruar testeve mjekësore.

“Unë nuk kam pasur kontakt me Muhamet Sejdiun, por për shkak se kemi qenë në një hapësirë të përbashkët i jam nënshtruar testeve shëndetësore dhe jam vetëizoluar”, ka deklaruar Haziri.

Ahengu i këngëtari Sejdiu ka alarmuar institucionet lokale në Gjilan. Sot, ka treguar kryetari Haziri, është bërë dezinfektimi i rrugëve dhe hapësirave publike.

“Sot kemi realizuar dezinfektimin e rrugëve dhe hapësirave publike. Është dezinfektuar para tre ditësh vendi ku është mbajtur ndeja”, ka deklaruar ai.

Pavarësisht se dezinfektimi i hapësirave publike në komunë u krye sot, kur janë konfirmuar 19 raste pozitive me koronavirus në tërë vendin, i pari i Komunës së Gjilanit ka thënë të jetë ai ndër të parët që ka ndërmarrë masa emergjente për parandalimin e përhapjes së epidemisë.

“Çdo vendim të qeverisë që është ndërmarrë, ne e kemi zbatuar dhe gjithçka është konform situatës emergjente dhe zbatohet çdo vendim”, ka thënë Haziri.

Në ahengun e së premtës ishin të pranishëm 50 persona, raportuar mediet të mërkurën.

Këngëtari Muhamet Sejdiu dhe bashkëshortja e tij janë dy rastet e fundit që dolën pozitiv me Koronavirus. Tashmë ka shkuar në 19-të numri i të prekurve me COVID-19 në Kosovë. /Insajderi.com