Lutfi Haziri: Xhaka e Shaqiri nuk marrin para të korruptuara

Lutfi Haziri: Xhaka e Shaqiri nuk marrin para të korruptuara

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri i cili njëherësh është edhe nënkryetar i LDK-së, ka reaguar ndaj disa politikanëve të cilët janë deklaruar se janë të gatshëm t’i paguajnë dënimet për Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin të cilët i dënoi FIFA me nga 10 mijë euro për shkak se e bënë shqiponjën pas shënimit të golave në ndeshjen e futbollit Zvicër-Serbi.

Gjithashtu, FIFA dënoi edhe kapitenin e skuadrës së Zvicrës, Lichnshteiner me 5 mijë euro.

Tentimet e tilla për mbulimin e këtyre shpenzimeve, Haziri i ka quajtur budallaki.

“Po lexoj e ndigjoj budallaki të llojit të vetë. Ministra e deputetë po kërkojnë me ja pagu dënimin që u shqiptua për Shaqën e Xhakën. A jeni n’veti bre? A po mendoni që jeni ma t’pasun se Federata e Futbollit zviceran, se konfederata e Zvicres apo edhe se lojtarët, a?!”, ka shkruar Haziri në llogarinë e tij në Facebook.

Madje, Haziri ka thumbuar edhe më shumë, duke thënë se ata nuk marrin para të korruptuara.

“Nji gja dijeni: ata nuk marrin pare të korruptueme. Nashta edhe keni harrue që ‘çdo dhuratë ma shumë se 50 euro asht korrupsion”. Nejse, të korruptuemit nuk e lexojnë mirë këtë punë!”, ka shtuar Haziri.

“Edhe nji politikan ia kish kujtue BE dhe ShBA që ish-ministri i Milosevic asht ba president i Serbisë. Po get keni harrue që para se me u ba president, ka qenë edhe kryeministër. Marre asht me manipulue me ‘pagesa’ e memory. Fajtori dihet!”, ka përfunduar ai.

Për më tepër,  deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj, ka shprehur gatishmërinë e tij për ta paguar dënimin e shqiptuar nga FIFA ndaj Xhakës e Shaqirit.

“Dënimi për Xhakën e Shaqirin nga FIFA është i pa peshë. Më dëshirën më të madhe do të doja që unë të paguaja këtë dënim, por e di se sukseset e tyre në futboll kanë bërë që edhe fuqia e tyre financiare të jetë stabile”, kishte shkruar ai në Facebook.

“Pra, sa herë që ata bëjnë shqiponjën, unë iu them se marr përgjegjësinë e gjobave nga FIFA. Jam i bindur se golat dhe sukseset e shqiptarëve me Zvicrën në Botëror nuk kanë ndalur. Presim suksese të mëdha në ndeshjet e radhës”, ka shtuar Dreshaj.

Gjithashtu, edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se emocionet që i dhuruan, ndjehet i obliguar që një pagë ta ndaj për dënimin e tyre.

“Jo se ata nuk i kanë mundësitë financiare për ta paguar një dënim të tillë, por ndjenja e krenarisë që na dhanë me golat e tyre, më bën të ndjehem i obliguar që një pagë timen ta ndajë për pagesën e kësaj gjobe. Vazhdoni, djema e na bëni krenar!”, ka shkruar ministri Hasani.

“Nuk paguhen me para emocionet që na i sollën Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, kur festuan me shqiponjë, pas golave të tyre në ndeshjen Zvicër – Serbi. Ata u dënuan vetëm sepse nuk harruan rrënjët e tyre, nuk harruan nga vijnë”, ka shtuar tutje Hasani./Insajderi.com