LVV: Bombat nuk janë në kauzën tonë

LVV: Bombat nuk janë në kauzën tonë

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar rreth sulmit të mbrëmshëm me bombë në oborrin e drejtorit të përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës, Mentor Shala, por edhe ndaj akuzave të këtij të fundit drejtuar subjekteve politike, me theks të veçantë, për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Lëvizja Vetëvendosje e rithekson që ne nuk jemi dakord me metodat që po përdoren së fundi ndaj disa institucioneve publike dhe individëve. Ne po ashtu e ritheksojmë që menaxhmenti i RTK-së është i kapur dhe e ka shndërruar këtë medium në propagandues të Qeverisë dhe Klanit Pronto”, thuhet në reagim.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk ka nevojë për mbrojtje nga grupe të tilla ngase bombat nuk i kontribuojnë kauzës sonë. Ne besojmë që rruga për të çliruar institucionet nga kapja prej partive në pushtet, është protesta publike paqësore dhe gjithëpopullore. Anipse nuk kemi besim në polici e prokurori, të cilat u dëshmuan që janë tërësisht të kapura nga klani Pronto, ne ftojmë organet e rendit që të bëjnë të pamundurën për të zbardhur rastet e sulmeve me bomba”.

“Menaxhmenti i RTK-së paska marrë sërish rolin e prokurorisë duke tentuar për të disatën herë ta lidh VETËVENDOSJE!-n me sulmet e fundit me bomba. Lëvizja VETËVENDOSJE! sa herë ka pasur të thotë diçka ndaj RTK-së e ka thënë publikisht. Ne asnjëherë nuk kemi bërë aksione natën dhe pa praninë e medieve. Tendenca e menaxhmentit të RTK-së që në vazhdimësi të jap gjykime të tilla, është e papranueshme dhe e shpërfaq sheshit rolin e këtij mediumi që të propagandojë në mbrojtje të klanit Pronto dhe Qeverisë së Kosovës”, vazhdon reagimi.

“Menaxhmenti kriminal i RTK-së, me në krye keqpërdoruesin kryesor në këtë medium, Mentor Shala, janë të rrezikshëm për demokracinë, fjalën e lirë dhe informimin e drejtë të publikut në Kosovë. Ky menaxhment, duhet të jap llogari ligjore për keqpërdorimet milionëshe që kanë ndodhur në këtë medium, si dhe për shndërrimin e RTK-së në altoparlant të Qeverisë dhe klanit Pronto. Ne ftojmë asociacionet e gazetarëve dhe këshillet mediale që të reagojnë ndaj linçimit që ky menaxhment po i bën Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe ndaj akuzave të rënda në drejtim të subjektit tonë”, përfundon reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje./Insajderi.com