LVV dhe LDK e shohin si opsion rikthimin e reciprocitetit me Serbinë, AAK kërkon ShBA-në në tavolinë

LVV dhe LDK e shohin si opsion rikthimin e reciprocitetit me Serbinë, AAK kërkon ShBA-në në tavolinë

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po e shohin si opsion rikthimin e reciprocitetit ndaj Serbisë, ndërsa në partinë e Ramush Haradinajt kërkojnë involvimin e sërishëm të ShBA-së për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë, që përfshin njohjen reciproke, transmeton Insajderi.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe kandidat për kryeministër, Albin Kurti, u shpreh i vendosur se marrëdhëniet me Serbinë, pas zgjedhjeve do të ndërtohen vetëm mbi bazën e reciprocitetit.

“Marrëdhëniet me Serbinë do të ndërtohen mbi reciprocitet madje mbi bazën e të kaluarës së afërt e cila ende nuk është mbyllur. Gjithçka duhet të nis me dokumentimin dhe adresimin e dëmeve të luftës, me evidentimin dhe gjetjet e personave të zhdukur dhe ndjekje e dënim të kriminelëve të luftës”, tha Kurti në mbledhjen e fundit të këshillit të përgjithshëm të LVV-së.

Edhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, njëherësh kandidati për deputet nga kjo parti, Faton Bislimi thotë për KosovaPress, se në vazhdimësi LDK-ja ka pasur qasje proaktive për dialogun me Serbinë, por sipas tij reciprociteti mund të shfrytëzohet si instrument për të arritur qëllimet e caktuara.

“LDK-ja në vazhdimësi ka pasur një qasje pro aktive të dialogut, ne s’kemi pritur të bëhemi vetëm instrument i pjesëmarrjes në dialog. Por në çdo aspekt edhe në koordinim të ngushtë me partnerët, veçanërisht me ShBA-në jemi munduar që procesin e dialogut të kthejmë në një fazë përmbyllëse të tij dhe rezulton me njohje të dyanshme, në mënyrë që çështja e marrëdhënieve tona me fqinjët tanë të rregullohet njëherë e përgjithmonë…reciprociteti është politikë që gjendet në tavolinën e opsioneve dhe mund të shfrytëzohet si instrument për të arritur qëllimet e caktuara. Unë besoj që LDK-ja ka tregu gatishmërinë e saj që çdo mjet të saj demokratik ta lë të hapur si mundësi e arritjes së qëllimeve të caktuara politike. Këtë rast edhe me Serbinë, pse jo. Ne e kemi parë dhe vazhdojmë të shohim edhe reciprocitetin në kuadër të këtyre mjeteve politike”, thotë ai.

Ndërsa, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi thotë për KP, se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë, me njohjen reciproke si temë të vetme në tavolinë.

“Ne dialogun e shohim duke qenë në tavolinë ShBA-të si partneri dhe miku i përjetshëm i Kosovës. Ndërsa të tjerët do t’i shohim si partnerë që mundësojnë një dialog të mirëfilltë duke pasur parasysh gjithmonë zgjidhjen finale që është njohja e Kosovës nga ana e Serbisë. Temat tjera mund të diskutohet pas njohjes, por konsiderojmë se njohja është tema e cila duhet të jetë në tavolinë”, thotë ai. /Insajderi.com