Procesi i zgjedhjeve të brendshme për kandidatët për anëtarë të Kuvendeve Komunale nga Lëvizja Vetëvendsoje ka filluar nga sot, njofton Insajderi.
Kështu ka bërë të ditur zëvendësministri i mbrojtjes, Enver Dugolli, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Në kuadër të zgjedhjeve të brendshme dhe në përputhje me Statutin dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, Lëvizja VETËVENDOSJE!, nga sot shpallë zgjedhjet e brendshme për kandidatët për anëtarë të Kuvendeve Komunale. Komisioni Zgjedhor Ad Hoc i Qendrës njofton të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të cilët janë të interesuar për të kandiduar për anëtarë të Kuvendeve Komunale nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, që të paraqesin deklaratën e kandidaturës nga data 18 korrik deri më 31 korrik 2021, ora 17:00”, ka shkruar ai.
Dugolli theksoi se në bazë të Rregullores së Zgjedhjeve të Brendshme, deklarata e kandidaturës për anëtar të Kuvendit Komunal duhet shoqëruar me një kopje të letërnjoftimit dhe të kartës së anëtarësisë së LVV-së.
“Pas dorëzimit të këtij dokumentacioni, KZAQ-ja do të ndjekë procedurat tjera siç është e paraparë me Statutin dhe Rregulloren e zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, thuhet në njoftimin e Dugollit. /Insajderi.com