LVV nuk fton në koalicion LDK-në, PDK-në dhe as AAK-në

LVV nuk fton në koalicion LDK-në, PDK-në dhe as AAK-në

Lëvizja Vetëvendosje nuk do të llogarisë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Partinë Demokratike të Kosovës e Aleancën për Ardhmëri të Kosovës për të formuar Qeverinë, transmeton Insajderi.

Kjo parti do të llogarisë vetëm në deputetët që u takojnë komuniteteve joserbe, ndërsa vazhdon të mbajë vijën e kuqe me Listën Serbe.

“Ne presim që ta kemi numrin e mjaftueshëm të deputetëve për të vazhduar tutje me formimin e Qeverisë dhe me formimin e institucioneve. Në anën tjetër, presim të shohim kush do të jenë deputetët e subjekteve joserbe. Pra, të komuniteteve joshumicë, joserbe. E dini, në legjislaturën e kaluar kemi bashkëpunuar ngushtë, i kemi pasur pjesë të grupit parlamentar Elbert Krasniqin dhe zonjën Zikreta”, ka deklaruar Arbërie Nagavci, anëtare e Kryesisë së LVV-së, raporton Koha.

Pas numërimit të të gjitha votave të rregullta, Vetëvendosje ka fituar 56 vende në Kuvend, PDK-ja 20, LDK-ja 14, AAK-ja 9, Lista Serbe 10 dhe komunitetet e tjera joshumicë 10 të tjera.

Akoma nuk janë numëruar edhe 27.249 vota me kusht, sikurse nuk janë hapur akoma rreth 43 mijë zarfe me fletëvotime të përcjella me postë.

“Unë shpresoj që partitë politike, edhe ato që nuk i kanë fituar zgjedhjet, në këtë rast sidomos PDK-ja, LDK-ja, po edhe AAK-ja, do të lexojnë qartë vullnetin e qytetarëve dhe nuk do të bllokojnë formimin e institucioneve, në këtë rast zgjedhjes së presidentes”, ka shtuar Nagavci. /Insajderi.com