LVV thërret interpelancë për sigurimet shëndetësore

LVV thërret interpelancë për sigurimet shëndetësore

Fatmire Kollçaku, nënkryetare e LVV-së në emër të Grupit parlamentar ka dorëzuar kërkesën për interpelancë në Kuvendin e Kosovës lidhur me sistemin informativ shëndetësor dhe sigurimet shëndetësore publike e private në Republikën e Kosovës.

“Marrë parasysh raportin e Auditorit të Përgjithshëm lidhur me projektin e Sistemit Informativ Shëndetësor, problemet tepër të mëdha të evidentuara na japin të kuptojmë se ky projekt sic kemi deklauar dhe më herët është nje aferë gjigande korruptive”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Për rekomandimet e dhëna në këtë raport dhe të ardhmen e kësaj fushe grupi parlamentar thërret në interpelancë Ministrin e Shëndetësisë Ismajli për të raportuar konkretisht lidhur me Sistemin Informativ si parakush i patejkalueshëm për Sigurimet shëndetësore publike.

Sipas LVV-së, në kushtet kur Kosova është vendi më i varfër në Evropë, me jetëgjatësinë mesatare më të ulët në Evropë, me investimin më të ulët në sektorin shëndetësor në raport me BPV, si dhe i vetmi vend në rajon pa sigurime shëndetësore, qasja joserioze jo vetëm që nuk siguron të drejtën elementare për të marrë shërbime shëndetësore që bën pjesë në të drejtat themelore të njeriut,  por varfëron akoma më shumë popullatën edhe ashtu të varfër, duke pasur impakt të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit.

Po ashtu, sipas LVV-së, në kushtet e moskontrollit ndaj institucione private të sigurimeve shëndetësore, ato po vjelin të ardhura të cilat merren nga qytetarët deri në momentin kur këta nuk shndërrohen në pacientë. Rastet më të shpeshta rezultojnë më ndërprerje të kontratës për sigurimin shëndetësor privat kur konstatohet se personi është duke u trajtuar nga ndonjë sëmundje kurimi i të cilës kushton.