Macron i shkruan letër Osmanit: Franca do t’ju mbështesë drejt reformave thelbësore

Macron i shkruan letër Osmanit: Franca do t’ju mbështesë drejt reformave thelbësore

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka dërguar letër urimi për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku ka shprehur edhe gatishmërinë e shtetit të tij për ta mbështetur më tej Kosovën, njofton Insajderi.

I pari i Francës në letrën e urimit ka theksuar se mirëpret angazhimin e Presidentes Osmani, për forcimin e shtetit të së drejtës dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Macron ka shtuar se Franca do të qëndrojë për krah Kosovës për ta ndihmuar në përballimin e sfidave, duke filluar me luftën kundër pandemisë.

“Franca së shpejti do t’i dorëzojë Kosovës 15 mijë teste antigjenike për t’u përgjigjur nevojave urgjente”, thuhet në telegramin e Presidentit Macron.

Po ashtu, presidenti francez ka shkruar edhe për dialogun e Kosovës me Serbinë, “duke inkurajuar vazhdimin e tij drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme”. /Insajderi.com