Macron konfirmon mbështetjen e Francës për dialogun Kosovë-Serbi

Macron konfirmon mbështetjen e Francës për dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka konfirmuar mbështetjen e Francës në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi, të udhëhequr nga Emisari Special i Bashkimi Evropian, Mirosllav Lajçak, transmeton Insajderi.

“Janë bisedime të rëndësishme që udhëhiqen nga Bashkimi Evropian dhe dua edhe një herë të shpreh mbështetjen e Francës për Mirosllav Lajçak”, ka thënë Macron, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Paris, ku temë kryesore ishte çështja e Kosovës.

Ai ka shtuar se ka biseduar me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Avdullah Hoti, në nëntor dhe se do të bisedojë edhe me kryeministrin e ardhshëm pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Patëm bisedime të besimit të plotë me presidentin Vuçiq sa i përket kësaj teme, dhe dua të përshëndes rrezikun që ka marrë ai disa herë për të propozuar disa zgjidhje që janë inovative. Jam i gatshëm t’i mbështesë ato, zgjidhjen e vetme që do të çonte deri te përparimi në këtë çështje dhe të zgjidhet ajo”, u shpreh Macron para medieve, raporton “RTS”.

Ai tutje tha se do të mbështes të gjithë ata që duan të përparojnë marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se çështja e Kosovës nuk është e lehtë, por se duhet të punohet të arrihet një marrëveshje e pranueshme për dyja palët.

“Çështja e Kosovës dhe Metohisë është shumë e rëndësishme për ne dhe nuk është fare e lehtë. Të gjithë duhet të punojmë të arrijmë një zgjidhje të pranueshme për dyja palët, që deri më tash nuk ka qenë çështja ashtu. Gjithmonë kam qenë i gatshëm ta dëgjojë presidentin Macron dhe idetë e tij, që të mundohemi t’i afrohemi marrëveshjes”, ka thënë Vuçiq që ka shtuar se do t’ia paraqes platformën Macronit. /Insajderi.com