Presidenti i Francës, Emmanuel Macron i ka dërguar letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për ta uruar për formimin e Qeverisë, në të cilën ka përmendur edhe dialogun me Serbinë, përcjell Insajderi.
Në letrën e dërguar, Macron i ka kërkuar Kurtit që ta vazhdojë dialogun në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Ai ka thënë se zgjidhja e marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës është një sfidë madhore me të cilën duhet përballje.
“Shpresoj që ju ta vazhdoni këtë dialog në këtë mënyrë që të arrini një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme, e cila është një nga kushtet për afrimin evropian të Kosovës sikurse të Serbisë. Të jeni të sigurt që do ta keni mbështetjen time të plotë”, ka shkruar Macron.
Ai ndër të tjera është shprehur i lumtur ta mirëpres Kurtin në Paris për të diskutuar rreth kësaj teme.
Macron i ka shkruar shefit të ekzekutivit në Kosovë se duke votuar për listën që ai udhëhoqi gjatë zgjedhjeve të 14 shkurtit, shumica e votuesve që morën pjesë në votime shprehën dëshirën e tyre për ndryshim.
“Unë e di që ju synoni të realizoni reforma thelbësore, të cilat i kërkojnë bashkëqytetarët tuaj: forcimin e shtetit të së drejtës si dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës”, ka shkruar ai./Insajderi.com