Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka shprehur nderimet më të larta për xhudisten kosovare Majlinda Kelmendi, e cila u kthye sot në Prishtinë nga një numër I madh I njerëzve.
Mustafa tha se medalja e artë të cilën e ka fituar Kelmendi, “është një e arritur kulmore për shtetin e Kosovës”.
“Falë punës vetmohuese, talentit të rrallë dhe trajnimeve nga më i miri trajner në botën e xhudos, Driton Kuka, Majlinda e vendosi Kosovën në listën e ngushtë të shteteve të Arta të botës. Shteti dhe qytetarët e Kosovës i janë mirënjohës dhe krenohen pa masë me Majlinden”, deklaroi Mustafa, raporton Insajderi.
Kelmendi është futur në histori të shtetit të Kosovës, pasi fitoi medaljen e parë olimpike në histori të shtetit, në pjesëmarrjen e parë të Komitetit Olimpik të Kosovës në Lojëra Olimpike. /Insajderi.com