Makiaveli emërohet drejtor i Ndërmarrjes së shtypit dhe propagandës

Makiaveli emërohet drejtor i Ndërmarrjes së shtypit dhe propagandës

Në një bisedë “në ferr” e autorit te Princit, Makiavelit, dhe autorit të së famshmes “Fryma e ligjeve”, Monteskjesë; ky i fundit i thotë Makiavelit që kishte vdekur afro dy shekuj më pare, se tani atje lart, mbi tokë, sovranitetin e kishte marrë në dorë populli dhe Princi nuk mundej të sillej si Shtypës; se rregullimi institucional është i tillë që 4 pushtete ekuilibrojnë njëri-tjetrin; Makiaveli qesh dhe i thotë se edhe unë po të isha atje lart, do t’i ruaja këto institucione por do te ngelesha përseri Shtypës; Monteskieja i thotë se nuk ka se si dhe kështu fillojnë të famshmet “Dialogje”në ferr midis tyre.

MAKIAVELI thotë: “Në “Frymën e ligjeve” ju plot mençuri vëreni se fjala liri paraqet një fjalë të cilës i vishen kuptime mjaft të ndryshme. Flitet se në librin tuaj mund të lexohet edhe kjo fjali: “Liria është e drejta për të bërë atë që lejon ligji.” Mua më përgjigjet ky përcaktim i cili më duket i saktë, dhe mund t’ju siguroj se ligjet e mia do të lejojnë vetëm atë që duhet.

MONTESKIE.

Nuk do të hidhërohesha fare po qe se më tregoni se si do të mbroheni nga shtypi. Si do ta heshtni atë?

MAKIAVELI.
Në fakt unë nuk kam ndër mend t’i frenoj vetëm gazetat. Po qe se do të kisha pasur ndër mend që thjesht dhe pastër t’i zhdukja gazetat, në mënyrë të pakujdesshme do ta ngacmoja ndjeshmërinë publike, të cilën është çdoherë rrezik ta provokosh botërisht. Unë do të shpall dekret që në të ardhmen asnjë gazetë mos të mund të themelohet pa autorizimin e qeverisë. Kështu, nuk e keni të vështirë të merrni me mend se të gjitha gazetat që do të jenë të autorizuara në të ardhmen, në fakt nuk do të jenë gjë tjetër veçse organe të devotshme ndaj qeverisë.

MONTESKIE.
Shyqyr Zotit, gazetat që diçka mendojnë, do të mund të shpëtohen për publikun.

MAKIAVELI.
Unë i sulmoj të gjitha gazetat e tanishme dhe të ardhshme me ndihmën e masave tatimore të cilat kanë për t’ua vënë drynin të gjitha ndërmarrjeve reklamuese, mu ashtu si meritojnë.

MONTESKIE.
Me habi mund të konstatoj se në sistemin tuaj nuk sulmohet gazetari, por sulmohet gazeta, me shkatërrimin e së cilës humbin edhe interesat që janë tubuar rreth saj…

MAKIAVELI.
Le të tubohen gjëkund tjetër, s’mund të bëhet tregti me gjëra të tilla.
MONTESKIE.

Kjo më duket disi e vështirë.

MAKIAVELI.
Kanë për t’u menduar dy herë para se ta shqetësojnë opinionin publik.

MONTESKIE.
Po qe se nuk mund të luftojnë kundër jush me ndihmën e gazetave përbrenda atëherë kanë për të luftuar me anën e gazetave nga jashtë. Do të fusin gazeta dhe shkrime shqetësuese nga jashtë kufirit.

MAKIAVELI.
Shtetasit e mi të cilët nga vendet e huaja kanë shkruar kundër qeverisë sime, me kthimin e tyre në vend, do të ndiqen e gjykohen. Është poshtërsi e vërtetë që në botën e jashtme dikush të shkruaj kundër pushtetit të vetë.

MONTESKIE.
Megjithatë për gjëra të tilla ka për të shkruar shtypi i vendeve fqinjë.

MONTESKIE.
Mbaruat me gazetarinë?

MAKIAVELI.
Kuptohet se nuk kam mbaruar.

MONTESKIE.
Çfarë ka mbetur tjetër?

MAKIAVELI.
Pjesa e dytë e detyrës sime. E dini se çfarë ka për të bërë qeveria ime? Do të shndërrohet në gazetar; në gazetari të mirëfilltë. Do të caktoj disa gazeta, të cilat do ta paraqesin atë që ju e quani opozitë. Po qe se opozita do të ketë dhjetë gazeta, unë do të kem njëzet. Po qe se ajo do të ketë njëzet, unë do të kem dyzet, po qe se do të ketë dyzet, unë do të kem tetëdhjetë.

MONTESKIE.
Në fakt, kjo është punë e thjeshtë.

MAKIAVELI.
Jo edhe aq sa mendoni ju, sepse masat nuk duhet të dyshojnë në këtë taktikë. Opinioni publik vetvetiu do të largohej nga gazetat që botërisht do ta mbronin politikën time.
Gazetat që do t’i jenë besnike pushtetit tim kam për t’i ndarë në tri-katër kategori. Në radhë të parë do t’i vë gazetat që do të jenë të ngjyrosura me një zyrtarizëm të hapet. Mirëpo, ua tërheq vëmendjen se nuk do të kenë mu ato gazeta ndikimin më të madh mbi opinionin publik. Në radhë të dytë do t’i vë gazetat që do të kenë vetëm karakter zyrtar dhe që do të kenë për detyrë që rreth qeverisë sime t’i tubojë ato masa njerëzish të vakët dhe indiferentë që pa çarë fare kokën pranojnë atë që është vendosur, mirëpo nuk shkojnë me larg në besimin e tyre politik.
Secilit opinion, secilës parti do t’ia caktoj një gazetë. Kështu, do të kem një organ aristokratik në partinë aristokratike, një organ republikan në partinë republikanë, një organ revolucionar në partinë revolucionare, një organ anarkist në partinë anarkiste. Të gjithë do të jenë në partinë time, pa e ditur as vet.

MONTESKIE.
Nga ju po me merren mendtë.

MAKIAVELI.
Kursejeni kokën se akoma nuk keni ardhur deri në fund. Gjithë është punë organizimi. Për shembull, nën emrin e degës së botimeve dhe shtypit do të themeloj një qendër aksionesh të përbashkëta ku do të merren udhëzimet dhe nga ku do të jepen sinjalet. Kështu, ata që nuk do të jenë në dijeni të plotë të këtij kombinimi, do të shohin një spektakël të çdoditshëm; do të shohin gazeta, të cilat i janë besnike qeverisë sime, por të cilat do të brohorisin, të cilat do të çojnë rrëmujë të vërtetë kundër meje.

MONTESKIE.
Kjo i tejkalon kufijtë e mi, dhe asgjë më nuk kuptoj.

MAKIAVELI.
Kini parasysh së bazat dhe parimet e qeverisë sime nuk do të sulmohen asnjëherë nga gazetat për të cilat po ju flas; ato vetëm do të zhvillojnë një polemikë, edhe atë në kufij fare të ngushtë.

MONTESKIE.
Po çfarë përparësie do të gjeni në atë?

MAKIAVELI.
Pyetja juaj është mjaft e çiltër. Rezultati, me të vërtetë i rëndësishëm, do të jetë ai qe sa më shumë njerëz të thonë: A e shihni se jemi të lirë, se mund të flasim nën këtë regjim, të cilin në mënyrë të padrejtë e sulmojnë, i cili në vend që të shtypë, siç mund të veprojë, vuan dhe toleron. Do të ketë edhe gazeta që do t’ia lejojnë vetes liritë më të mëdha të gjuhës, mirëpo, asnjëherë nuk do t’i sulmojnë institucionet e pushtetit. Bile edhe armiqtë e qeverisë do të detyrohen t’ia shprehin respektin e tyre të duhur.

MONTESKIE.
Të supozojmë se në kryeqytet prapëseprapë do të ngelë një numër i konsiderueshëm gazetash të pavarura. Është e qartë se atyre do t’u jetë e pamundshme të flasin për politikë, mirëpo do të mund të zhvillojnë njëfarë lufte të parëndësishme ndaj jush.

MAKIAVELI.
Unë as që dëshiroj të ushtroj vazhdimisht represion, por dëshiroj që me një urdhër të thjeshtë të mund të ndërpres çfarëdo diskutimi lidhur me ndonjë temë që prek pushtetin.

MONTESKIE.
Po si do t’ia arrini atij qëllimi se?

MAKIAVELI.
Do t’i detyroj të gjitha gazetat që në krye të shtyllave të tyre t’i botojnë rektifikimet që do t’ua dërgojë qeveria: censura e tillë do të jetë edhe e ndershme edhe e hapët dhe njëkohësisht çdo gjë do të jetë e lirë.

MAKIAVELI.
Qartë, diskutimi do të mbyllet me aq.

MONTESKIE.
Në atë mënyrë ju çdoherë do ta thoni fjalën e fundit.

MAKIAVELI.
Gazetat e mia do të jenë çdo ditë të mbushura me fjalime zyrtare, me raporte që do t’u paraqiten ministrive ose sundimtarit. Unë jetoj në një epokë në të cilën besohet se do të mund të zgjidhen të gjitha problemet e shoqërisë, në të cilën zhvillohet luftë e pandërprerë për rritjen e mirëqenies së klasës punëtore. Këto çështje paraqesin një argëtim të këndshëm për ata që janë të ngarkuar me politikën e brendshme. Është e nevojshme që qeveritë të lënë përshtypjen se janë vazhdimisht të zëna; ata që qeverisin të duken në veprimtari të pandërprerë, në një lloj ethesh, që vazhdimisht ta tërheqin vëmendjen me risi, me befasi, me skena teatrale. Në fushën e tregtisë, industrisë, artit, bile edhe të administratës, do të bëj çmos që të studiohet çdo lloje projekti, plani, kombinacioni, ndryshimi, ripunimi, përmirësimi, jehonën e të cilëve në shtyp do ta mbështesin shumë publicistë të frytshëm. Objektivi i vetëm, i pandryshueshëm, i të gjitha deklaratave të mia publike do të jetë mirëqenia e popullit. Edhe kur të flas personalisht, edhe kur t’i çoj të flasin ministrat e mi dhe shkrimtarët e mi, do të flitet vazhdimisht për madhështinë e vendit, për begatinë e tij dhe për madhështinë e misionit dhe fatit të tij. Do të flitet vazhdimisht për parimet e të drejtës moderne, për problemet e mëdha që e shqetësojnë njerëzimin. Në shkrimet e mia do të ndjehet fryma e liberalizmit më entuziast, më universal.
Do të jetë tejet e rëndësishme që të vihen në pah gabimet e paraardhësve të mi, të thuhet se unë ia kam arritur që t’u shmangem atyre. Ndaj regjimeve që i kanë paraprirë pushtetit tim duhet të ruhet njëfarë antipatie, bile edhe neveri, që më në fund do të bëhet i papërmirësueshëm si pendimi. Jo vetëm që një numri të konsiderueshëm gazetash do t’u jap për detyrë që pa pushim ta lartësojnë lavdinë e qeverisë sime, që të gjitha qeverive të tjera, përveç times, t’ua hedhin përgjegjësinë për gabimet e politikës evropiane, por, do të dëshiroja që një pjesë e atyre lëvdatave të duken vetëm si jehonë e gazetave të huaja, nga të cilat do të ribotohen shkrime, të rrejshme ose të vërteta, që do t’i bëjnë nderim të shkëlqyeshëm vet politikës sime. Të shfrytëzohet shtypi në të gjitha trajtat e ti ky është ligji i pushteteve që sot dëshirojnë të ekzistojnë.