Mali i Zi dhuron vaksina anti-COVID për FSK-në

Mali i Zi dhuron vaksina anti-COVID për FSK-në

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pranuar sot një donacion të vaksinave anti-COVID-19 nga ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi, njofton Insajderi.

Mehaj thotë se përveç vlefshmërisë financiare, ky donacion dëshmon përkrahjen e plotë në kohë krize nga miqtë dhe partnerët malazez.

“Sot pata kënaqësinë të pranoj donacionin e vaksinave anti COVID-19 nga Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi, donacion ky shumë të vlefshëm jo për nga vlera financiare sa i vlefshëm nga vullneti i veçantë i dëshmuar për përkrahje të plotë në kohë krize nga miqtë dhe partnerët tanë malazez”, thotë Mehaj në një status në Facebook.

“Isha i nderuar që aktin e pranimit ta nënshkruajmë së bashku me ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Mirsad Biboviq. Ky donacion dhe aktivitetet tjera bilaterale janë fryt i bashkëpunimit të ngushtë që kemi realizuar gjatë kësaj periudhe me homologen time malazeze, ministren Injac”, është shprehur Mehaj.

Ministri I Mbrojtjes mes tjerash thotë se bashkëpunimi bilateral do të intensifikohet edhe më shumë në të ardhmen që si dy vendeve fqinje me kapacitetet tona të kontribuojmë sa më shumë në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë. /Insajderi.com