Mali i Zi lehtëson masat për hyrjen e qytetarëve të Kosovës

Mali i Zi lehtëson masat për hyrjen e qytetarëve të Kosovës

Institucionet Shëndetësore të Malit të Zi kanë sugjeruar zbutjen e kushteve për hyrjen në këtë shtet, të banorëve të vendeve të rajonit, përfshirë kështu edhe Kosovën, njofton Insajderi.

Trupi Kombëtar i Koordinimit për Sëmundjet Infektive (NCT) vendosi sonte, me sugjerim të Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi (IJZCG), që të zbuten masat rreth hyrjes në Mal të Zi.

“Banorët e të gjitha vendeve nga” lista e verdhë “gjithashtu mund të hyjnë në Malin e Zi me një rezultat negativ të testit serologjik për antitrupat IgM ose me një rezultat negativ të testit PCR për coronavirusin e ri (SARS-CoV-2), të cilat janë lëshuar nga një laborator i regjistruar dhe nuk janë më të vjetër se 72 orë. Kushti është që personi të mos qëndrojë në një nga vendet nga “lista e kuqe” në periudhën prej 15 ditësh para hyrjes në Malin e Zi, pra në një nga vendet nga të cilat nuk lejohet hyrja në Malin e Zi “, njoftoi Qeveria e Malit të Zi.

Gjithashtu është bërë e ditur se hyrja e shtetasve malazezë dhe të huajve që qëndrojnë përgjithmonë ose përkohësisht në këtë vend nga vendet e rajonit është lehtësuar në rast se ata kanë qëndruar në ato vende deri në 48 orë.

“Pas kthimit të tyre në Mal të Zi, këtyre personave u është caktuar një masë e mbikëqyrjes shëndetësore e cila nënkupton lëvizjen e lirë, por monitorim i përditshëm i simptomave dhe raportim te mjeku kompetent deri në skadimin e Vendimit të lëshuar nga Inspektimi Sanitar pas kthimit”, shkruan në vendimin e qeverisë malazeze, ku shtohet se masat e reja do të hyjnë në fuqi ditën e botimit të tyre në Gazetën Zyrtare të Malit të Zi, që pritet të ndodhë sonte. /Insajderi.com