Mali Sharr park kombëtar, ende shumë punë

Nga platforma “Miqtë  Sharrit” theksojnë se  shpallja e Malit Sharr park kombëtar do të ndikojë edhe në rritjen e numrit të turizmit.

Mali Sharr park kombëtar, ende shumë punë

Edhe pse Qeveria e republikës së Maqedonisë së Veriut ka sjellur vendim që Mali Sharr të shpallet park kombëtar, megjithatë deri në arritjen e këtij  qëllimi do të duhet edhe shumë kohë, shkruan Gazeta Online Insajderi.

Shoqatat joqeveritare që janë marrë me këtë problematikë, thonë se ky është vendim është i vonuar por megjithatë duhet ende shumë punë.

Sipas shoqatave, nevojitet që të konsultohet edhe popullata sidomos në pjesën ku duhet të vendosen kufijtë.

“Jemi të vetëdijshëm se ndodhemi në gjysmë të rrugës, jemi të vetëdijshëm se do të ketë debate publike, por hapat e ardhshëm janë shumë të rëndësishëm, sepse duhet që të kyçen të gjithë faktorët relevantë, por me rëndësi është që të kyçen edhe banorët lokalë që të shmangen konflikte dhe mosmarrëveshje të panevojshme. Kjo më shumë vlen për atë pjesë se ku do të jenë kufijtë e parkut kombëtar që të mos ketë probleme eventuale”, thotë Metin Muharemi, nga platforma Miqtë e Sharrit.

Nga Eco Guerilla thonë se në Mali Sharr është shkatërruar shumë sidomos me prerjen masive të drunjëve dhe ndërtimin e hidrocentraleve.

“Mund të përmend fshatrat Dobrosht dhe  Përshefcë, ku banorët kanë probleme me ujin e pijshëm për shkak se janë ndërtuar hidrocentrale dhe këta hidrocentrale janë ndërtuar pa asnjë konsultim me banorët, sepse askush nuk u ka treguar se nesër ata mund të kenë probleme ujin e pijshëm. Prandaj do të duhet që në të ardhmen të bëhet një revizion në tërë atë çka ka ndodhur dhe të dihet saktë se kush ka dhënë leje për ndërtimin e hidrocentraleve”, thotë Arjanit Xhaferi, nga lëvizja Eco Guerilla.

Nga platforma “Miqtë  Sharrit” theksojnë se  shpallja e Malit Sharr park kombëtar do të ndikojë edhe në rritjen e numrit të turizmit.

“Bashkërisht me parkun ekzistues kombëtar në pjesën e Kosovës, në këtë mënyrë mund të arrijmë që të krijojmë një rajon të mbrojtur nga I cili mund të përfitojë popullata vendore përmes zhvillimit të turizmit dhe në këtë drejtim mund të mbrohet Flora dhe Fauna që është unikate në Malin Sharr” thonë nga platforma “Miqtë  Sharrit”.

Shoqata Ekologjike Maqedonase dhe platforma “Miqtë e Sharrit” kohë më parë kishte realizuar një anketë me qytetarët për shpalljen e Malit Sharr Park kombëtar.

Sipas kësaj ankete  83 për qind e banorëve të cilët jetojnë në komunat përgjatë Malit Sharr dëshirojnë që i njëjti të shpallet Park Kombëtar.

Hulumtimi është bërë në 30 vendbanime në komunat Jegunocë, Tearcë, Tetovë, Gostivarë, Bogovinë dhe Vrapçisht me 410 anketues të moshës 18 deri në 60 vjeçare.

Deri më tani organizatat joqeveritare në bashkëpunim me ministrinë e ekologjisë kanë realizuar rreth 100 debate me pjesëmarrjen e më shumë se 3500 banorëve,  211 deputetëve nga dy përbërje të ndryshme parlamentare dhe 48 përfaqësues të vetëqeverisjes lokale.

Në anën e Kosovës, Mali Sharr është shpallur park kombëtar që në vitin 1968.

Kundër vendimit që Mali Sharr të shpallet park kombëtar ka dalur federata e gjuetarëve të Maqedonisë së Veriut se cila thekson se me këtë gjuetia do të ketë pasoja afatgjate.