Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Sërgjan Darmanoviq ka kërkuar sot nga homologu i tij Behgjet Pacolli që Kuvendi i Kosovës ta ratifikojë Demarkacionin me shtetin e tyre, proces ky që po zvarritet tash dy vite. Në vizitën zyrtare të Pacollit në Mal të Zi, ky i fundit u ka thënë malazezëve se Demarkacioni do të kapërcehet në mënyrë të përshtatshme, por kjo sipas tij, kërkon ende kohë. Për këtë çështje, Mali i Zi ka kërkuar edhe qëndrimin zyrtar të Haradinajt. Ndërkaq për Express, Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit ka thënë se korrigjimi i kësaj marrëveshjeje është pjesë negociatave të arritura me Podgoricën. Nuk përjashtohet Arbitrazhi Ndërkombëtar.
Të prerë në deklaratat e tyre ishin sot zyrtarët e shtetit malazez kur e ripërsëriten para ministrit të Kosovës, Behgjet Pacollit, se çështja e Demarkacionit me Malin e Zi, është punë e kryer.
Por edhe përkundër vizitës së Pacollit, Mali i Zi kërkon qëndrimin e Haradinajt për këtë çështje.
Halil Matoshi, pjesë e kabinetit të Qeverisë Haradinaj, tha për Express, se kohë më parë zyrtarët e lartë shtetëror të Republikës së Malit të Zi ishin deklaruar se janë të gatshëm të bisedojnë me palën kosovare për të sqaruar procesin e demarkimit të kufirit mes dyja shteteve.
Duke e komentuar edhe vizitën e sotme zyrtare të ministrit Pacolli në Mal të Zi ku temë kryesore ishte çështja e demarkacionit, Matoshi tha se në të njëjtat valë ishte edhe kryediplomati malazez Sërgjan Darmanoviq, i cili ka thënë se pala malazeze, do të jetë e hapur për bisedime me miqtë dhe partnerët kosovarë.
Madje Matoshi ka sqaruar se Qeveria Haradinaj po e pret të përfundojë procesi dhe të shohë raportin e detajuar të Komisionit shtetëror dhe se sipas tij, tek pastaj do të ndërmarr hapat e mëtejmë konform Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
Megjithatë, nëse palët nuk arrin të pajtohen për shënjimin e kufirit me Malin e Zi dhe Kosovën, Matoshi sqaron se mund të kërkohet edhe Arbitrazh Ndërkombëtar.
“Ju rikujtojmë se Marrëveshja e Vjenës e 26 gusht 2015 – neni 2 i kësaj Marrëveshje nuk e përjashton mundësinë e korrigjimit të procesit – porse përmban edhe dispozitën që përcakton se nëse palët pajtohen për ndryshimin dhe plotësimin e dispozitave të Marrëveshjes, mund të kërkohet edhe Arbitrazh Ndërkombëtar”, ka vlerësuar Matoshi për Express.
Ramush Haradinaj në pozitën e Kryeministrit, e ka formuar Komisionin e ri Shtetëror përmes së cilit synohet që të faktohet se versioni aktual i demarkacionit është i gabueshëm dhe vendi humb mbi 8 mijë hektarë tokë.
Kuvendi ishte përballur me tensione të larta, gaz lotsjellës e gjuajtjen e gjësendeve të ndryshme nga opozita, për ta kundërshtuar në çdo formë ratifikimin me versionin aktual të shënjimit të kufirit me Malin e Zi./GazetaExpress/