Malisheva nuk pajtohet me kategorizimin në zonën e verdhë

Malisheva nuk pajtohet me kategorizimin në zonën e verdhë

Shtabi Emergjent në Komunën e Malishevës është shprehur kundër kategorizimit në zonën me rrezikshmëri mesatare të përhapjes së COVID-19, njofton Insajderi.

Sipas tyre, ka gabim në shifra nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe se për këtë gabim e kanë njoftuar institutin dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

“Shtabi Emergjent Komunal në Malishevë, pas shqyrtimi të situatës me COVID-19 dhe grumbullimit të të dhënave të sakta për numrin e infektimeve gjatë javës së kaluar, konsideron se kategorizimi i Komunës së Malishevës, në zonën e “verdhë” apo zonën me rrezikshmëri mesatare, është gabim në shifra nga ana e IKSHPK-së”.

“Për këtë gabim në pasditen e vonshme të ditë së djeshme, janë njoftuar edhe IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë, por ata nuk kanë reaguar për rregullimin e këtij gabimi”, thuhet në njoftimin e komunës.

Në njoftim thuhet se ka raste kur personat me COVID-19 nga komunat e tjera janë regjistruar si raste në Malishevë.

“Shtabi Komunal Emergjent në Malishevë, e vlerëson si të dëmshëm këtë kategorizim, pasi si pasojë e gabimeve, pësojnë qytetarët e Komunës së Malishevës dhe komuniteti i biznesit”.

“Gabimet janë njerëzore dhe të kuptueshme, por edhe reagimi dhe përmirësimi i gabimeve është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm”, thuhet tutje në njoftim.

Nga kjo komunë i kanë kërkuar ministrisë që Malishevën ta kthejnë në zonën e gjelbërt apo kategorinë me rrezikshmëri të ulët të përhapjes së virusit./Insajderi.com