![Maloku: Do të punojmë në ngritjen e nivelit të llogaridhënies](https://insajderi.com/wp-content/uploads/2021/01/jetish-maloku-730x440.png)
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, thotë se do të punojnë në ngritjen e nivelit të llogaridhënies, efikasitetit dhe cilësisë së punës në zgjidhjen e rasteve, njofton Insajderi.
Këtë deklaratë Maloku e dha në Konferencën Vjetore të Prokurorëve, ku tutje ka paraqitur objektivat duke shtuar se synojnë të avancojnë sistemin e planifikimit, ta rrisin buxhetin si dhe do ta shpenzojnë buxhetin efektivisht dhe për nevoja të cilat i ka sistemi prokurorial.
“Ne së bashku do të vazhdojmë të ngrisim nivelin e llogaridhënies, efikasitetit, cilësisë së punës në zgjidhjen e rasteve. Ky synim do të bëjë të mundur të kemi një sistem prokurorial me integritet, transparent dhe që gëzon besimin e publikut”, ka thënë Maloku gjatë fjalimit.
“Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit vazhdimisht kishte si objektivë që të krijojë kushte më të mira për punë, numër të mjaftueshëm të prokurorëve dhe stafit administrativ si dhe infrastrukturë e pajisje moderne, andaj sot dua ta siguroj çdo të punësuar në sistemin prokurorial se të gjithë ne së bashku do ta arrijmë këtë”.
“Ne do të avancojmë sistemin e planifikimit duke punuar së bashku, do të rrisim buxhetin përmes një bashkëpunimi më të mirë me Qeverinë dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës si dhe do ta shpenzojmë buxhetin efektivisht dhe për nevoja të cilat i ka sistemi prokurorial”. /Insajderi.com